Ne vozitëm Lynk&Co 02: I krijuar për ta ndryshuar lojën

Me kombinimin e dizajnit futuristik, teknologjisë së përparuar dhe performancës dinamike, Lynk&Co 02 po shfaqet si një rival i fortë në segmentin e makinave elektrike. Ky model jo vetëm që duket tërheqës, por gjithashtu ofron dinamikë të shkëlqyer drejtimi, sisteme të avancuara sigurie dhe praktike për përdorim të përditshëm.

Në vitet e fundit, industria kineze e automobilave ka përjetuar rritje dhe zgjerim të shpejtë. Brendet e automobilave nga Kina po e kthejnë gjithnjë e më shumë vëmendjen e tyre në tregun evropian, duke përshtatur modelet e tyre për të përmbushur standardet dhe preferencat strikte të blerësve evropianë. Edhe pse Bashkimi Evropian po vendosë detyrime shtesë, kjo nuk po e ngadalëson ritmin e tyre. Një numër prodhuesish kanë zhvilluar tashmë modele të specializuara, duke ofruar kombinim të motorëve tradicionalë me djegie të brendshme, motorëve hibridë dhe elektrikë, duke ofruar shumëllojshmëri që plotëson shijet dhe nevojat e ndryshme të blerësve. Në thelb, pothuajse të gjitha segmentet janë të mbuluara, diapazoni po rritet vazhdimisht dhe varion nga modelet “mainstream” deri në “up-market”.
Së fundmi kaluam disa ditë në shoqërinë e Lynk&Co 01, modeli që i pari i hapi dyert kësaj marke në tregun e Maqedonisë. Për ata që nuk janë plotësisht të njohur, do të prezantojmë shkurtimisht kompaninë, ndërsa kushdo që dëshiron informacion më të detajuar rreth këtij automjeti mund të “kalojë” në testin e publikuar së fundmi.
Filozofi e re automobilistike
Që nga viti 2010, Geely është pronar i Volvo-s dhe po punon në mënyrë aktive në zhvillimin e një gjenerate të re automjetesh. Por, në vend që të krijonin një tjetër markë klasike të automobilave, përgjegjësit vendosën të shkojnë në një drejtim të ri, ideja shtytëse e të cilit është tejkalimi i hendekut midis lëvizshmërisë tradicionale dhe dixhitale. Kështu, në vitin 2016, Lynk & Co u prezantua si brend inovativ automobilistik i krijuar si përzierje e teknologjisë suedeze dhe fuqisë industriale kineze. E themeluar në Goteborg si projekt i përbashkët i dy kompanive, marka ka një qëllim: të ripërcaktojë industrinë e automobilave përmes një qasjeje moderne, urbane dhe të lidhur ndaj lëvizshmërisë. Pozicionimi i markës së sapokrijuar në industri është i drejtë midis markave tradicionale të automobilave dhe kompanive të reja “tech”. Derisa Volvo ndërton imazhin e tij mbi luksin dhe sigurinë, ndërsa Geely përgjigjet me prodhimin masiv, Lynk & Co kombinon zgjidhjet inovative dixhitale me performancën e automobilave.
Me ftesë të kompanisë Delfino Mobility Group, e cila është përfaqësuesi zyrtar i automjeteve Geely dhe Lynk&Co në Maqedoni, udhëtuam në Slloveni për prezantimin evropian të Lynk&Co 02 të parë plotësisht elektrik, ku përmes një eksperience vozitëse përmes peizazheve të bukura rreth liqenit Bled, liqenit të Bohinj dhe majave me dëborë të Kranjska në Gora, patëm mundësinë të njihemi me anëtarin e ri të gamës.
Estetikë sportive me detaje futuriste
Modeli Lynk&Co 02 përfaqëson interpretim elegant të një SUV të kryqëzuar kompakt elektrik që
kombinon dizajn të guximshëm, teknologji të avancuara dhe performancë dinamike. Me gjatësi prej 4,46 metrash, ai konkurron drejtpërdrejt me modele të tilla si Skoda Elroq, Volkswagen ID.3 dhe MG 4, duke ofruar qasje të freskët që e bën atë të dallohet në segment. Pjesa e përparme përcaktohet nga dritat e holla LED të vendosura lart në haube, duke i dhënë asaj një pamje agresive dhe të pazakontë. Grila e përparme minimaliste dhe e mbyllur, tipike për automjetet elektrike, përmirëson aerodinamikën dhe kontribuon në estetikën e pastër.
Silueta coupe theksohet nga një vijë e lëshuar në çati që afrohet drejt pjesës së pasme, duke kombinuar karakterin sportiv me prakticitetin SUV. Konturet anësore të theksuara shtojnë një ndjenjë lëvizjeje dhe energjie, edhe kur automjeti ndalon. Në pjesën e pasme, vëmendjen e tërheqin dritat LED të pozicionuara horizontalisht, të lidhura me një shirit të hollë drite, që krijon përshtypjen e një makine më të gjerë dhe të avancuar teknologjikisht. Spoileri i pasmë i integruar jo vetëm që përmirëson pamjen sportive, por gjithashtu rrit efikasitetin aerodinamik. Ajo që Lynk & Co 02 paraqet në pjesën e jashtme është shembull i shkëlqyer sesi dizajni elegant dhe sportiv mund të shkojë paralelisht me funksionalitetin, duke krijuar një automjet që padyshim lë përshtypje të fortë në hapësirë.

Eleganca digjitale dhe funksionaliteti
Kabina dominohet nga digjitalizimi, i cili vërehet sapo uleni pas timonit, ku një ekran 10.2 inç prezanton informacionin parësor. Më pas është një ekran multimedial me prekje 15.4 inç në tastierën qendrore përmes të cilit kontrollohen shumica e funksioneve të makinës. I njëjti bazohet në platformën Android, ndërsa për reagim të shpejtë të çdo komande përgjegjës është “Qualcomm” me procesorin e tij Snapdragon të gjeneratës së fundit për përdorim në industrinë e automobilave. Brendësia mundësohet nga lidhj 5G, ndërsa kamerat mbulojnë kënde 360 gradë, ndërsa fakti se është menduar edhe pasagjeri, dëshmohet nga dy karrikuesit me valë të vendosur në pjesën e poshtme të kreshtës qendrore.

Veçantia e këtij modeli dhe orientimi i tij drejt dashamirëve të teknologjisë paraqitet edhe nëpërmjet aftësisë për të regjistruar video apo për të bërë “selfie” nëpërmjet kamerës së vendosur në retrovizorin qendror. Ergonomia kryhet në një nivel shumë të lartë, ulëset e rregullueshme elektrike dhe me ngrohje lejojnë udhëtim të rehatshëm, ndërsa ulësja e pasme, pavarësisht vijës së pjerrët të çatisë, ofron hapësirë të mjaftueshme për dy të rritur. Bagazhi ofron 410 litra të forta dhe me uljen e ulëseve, kapaciteti rritet në 1349 litra.
E fuqishme dhe efikase
E ndërtuar në platformën modulare të automjeteve elektrike të Geely të quajtur SEA, e cila gjithashtu mbështet modele të tilla si Volvo EX30, Zeekr X, Smart #1 dhe #3, versioni Lynk&Co 02 ka një bazë rrote prej 2.75 metrash. Bateria prej 66 kWh fuqizon motor elektrik me 272 kuaj fuqi dhe 323 Nm, i cili e transmeton fuqinë në rrotat e pasme. Përshpejtimi nga 0 në 100 km/h zgjat vetëm 5,5 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është e kufizuar në mënyrë elektronike në 180 km/h.

Gjatë vozitjes sonë të parë, vumë re se Lynk&Co 02 është e pajisur me 21 sisteme sigurie aktive, duke përfshirë kontrollin adaptiv të lundrimit, asistencën e mbajtjes së korsisë, frenimin automatik emergjent dhe kontrollin inteligjent të frenimit në kthesat. Sistemet funksionojnë me saktësi, pa e tepruar ndërhyrjet, gjë që i mundëson shoferit të shijojë vërtet vozitjen. Autonomia e deklaruar është 445 kilometra, por në kushte urbane mund të arrijë deri në 600 kilometra. Falë DC gjatë karikimit 150 kW, bateria mbushet nga 10% në 80% në vetëm 30 minuta. Bonus shtesë është funksioni V2L, që mundëson nga makina të mbushen pajisje të jashtme.
Përshtypjet fillestare nga takimi me Lynk&Co 02 janë jashtëzakonisht pozitive, gjë që vetëm sa na shton padurimin për ardhjen e tij zyrtare në tregun tonë, të paralajmëruar jozyrtarisht për muajin e ardhshëm. Më pas, do të kemi mundësinë për testime më të detajuara, të cilat do të na japin pasqyrë të plotë të potencialit të këtij modeli të ri mahnitës.




