Zbulohen makinat me më shumë defekte dhe ato më të sigurta në Gjermani
Pothuajse një në pesë nuk e kaloi kontrollin teknik, ndërsa raporti i TÜV sjell ndryshime në renditjen e modeleve më të sigurta dhe më problematike

TÜV gjerman ka publikuar përsëri rezultatet e raportit të tij vjetor të inspektimit teknik. Sipas të dhënave nga rreth 9.5 milion automjete të testuara midis korrikut 2024 dhe qershorit 2025, Tesla zuri dy pozicionet e fundit në renditjen e makinave me më shumë defekt në tregun gjerman.
Tesla përsëri në fund: Modeli Y me më shumë defekte në dekadën e fundit
Edhe pse Modeli 3 ka mbajtur tashmë titullin famëkeq “modeli më i pabesueshëm” për dy vite me radhë, këtë herë Modeli Y arriti të ishte edhe më keq dhe të vendoste një rekord të ri negativ. Me një shkallë defektesh prej 17.3 përqind në automjetet dy deri në tre vjeçare, ky model performoi dukshëm më keq se konkurrentët si Mini Cooper SE, i cili ka vetëm 3.5 përqind defekte. Problemet lidhen kryesisht me pezullimin, frenat, ndriçimin dhe montimet e boshtit – komponentë të cilët te Tesla qartë nuk plaken mirë.
Modeli 3, ndonëse pak më i mirë se Modeli Y, ende ka një normë zhgënjyese prej 13.1 përqind, që do të thotë se një në shtatë automjete nuk e kaloi kontrollin teknik. Të dhënat përsërisin të njëjtën pamje nga vitet e kaluara – Tesla ende ka vështirësi me cilësinë e ndërtimit dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.
Çdo e pesta veturë në Gjermani nuk e kaloi inspektimin TÜV
Të dhënat zbulojnë gjithashtu një trend më të gjerë: gjithsej 21.5 përqind e të gjitha automjeteve të testuara këtë vit kishin defekte “të rëndësishme” ose “të rrezikshme”, një rritje prej 0.9 pikësh përqindjeje krahasuar me raportin e vitit të kaluar. Pjesa e automjeteve me defekte të vogla është gjithashtu në rritje, duke arritur në 12.3 përqind.
Modele të tjera me performancë të dobët përfshinin BMW Serinë 5 dhe Serinë 6 në grupmoshat katër deri në pesë dhe tetë deri në nëntë vjeç, Dacia Duster në grupmoshat gjashtë deri në shtatë dhe dhjetë deri në njëmbëdhjetë vjeç, ndërsa Renault Clio në automjetet më të vjetra, dymbëdhjetë deri në trembëdhjetë vjeç.
Volkswagen dominon midis atyre më të mirëve: Golf, T-Roc dhe Touareg me rezultatet më të mira
Nga ana pozitive, brendet gjermane – veçanërisht Volkswagen – treguan përsëri reputacionin e tyre. Në kategorinë katër deri në shtatë vjeç, rezultatet më të mira u arritën nga VW Golf Sportsvan dhe VW T-Roc, ndërsa në automjetet më të vjetra (12-13 vjeç), fituesi ishte VW Touareg.
Mazda CX-3 dhe Mercedes B-Class u dalluan në segmentet më të vjetra, ndërsa në automjetet dy deri në tre vjeç, liderët e kategorisë ishin Fiat 500e në klasën mini, Mazda 2 në klasën e makinave të vogla, BMW Seria 1 në klasën kompakte, Mercedes C-Class në klasën e mesme dhe përsëri VW T-Roc në segmentin SUV.
Mercedes me “cilësinë afatgjate” më të mirë
E re në raportin e këtij viti është çmimi i cilësisë afatgjatë – mirënjohje për markat, automjetet e të cilave mbi dhjetë vjeç kanë shkallën më të ulët të defekteve. Mercedes zuri bindshëm vendin e parë me 18.5 përqind defekte, rezultat që pothuajse përputhet me shkallën e defekteve të Tesla Model Y të ri. Audi zuri vendin e dytë me 19.2 përqind, ndërsa Toyota është e treta me 22 përqind.
Këto rezultate tregojnë edhe një herë se jo çdo makinë elektrike do të thotë automatikisht cilësi ose kosto të ulëta mirëmbajtjeje. Dhe ndërsa Tesla vazhdon të tërheqë vëmendjen me teknologjinë, prodhuesit gjermanë dhe japonezë mbeten mjeshtër të besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë – të paktën sipas TÜV.



