Vozitëm Chery – Vala e re kineze

Industria kineze e automobilave ka shënuar rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit. Markat e automobilave nga ky vend gjithnjë e më shumë po vënë fokusin e tyre në kontinentin evropian, ndërsa një prej tyre është marka Chery, e cila synon blerësit me modelet e saj “Up market”.
Me ftesë të kompanisë Grand Auto, e cila në Maqedoni është importues dhe përfaqësues ekskluziv i automjeteve Ford, Hyundai dhe MG, udhëtuam për në Serbi, ku patëm mundësinë të jemi ndër të parët në rajon që do të shoqërohen me modelet e anëtarit të ri të portofolit, marka kineze e makinave Chery.

Shkurtimisht për Chery
Kur bëhet fjalë për Chery, ia vlen të dihet se kompania u themelua në vitin 1997, shumë shpejt pas krijimit të qendrës së parë të zhvillimit në vendin amë, hap qendra të reja hulumtimi dhe zhvillimi në Gjermani, SHBA dhe Brazil, në të cilat punësohen mbi 5.500 persona. Në mënyrë tipike dhe me 10 fabrika në të gjithë planetin, Chery hyn me sukses në botën e automobilave ku arrin shitje globale kumulative që përbëhet nga më shumë se 10 milionë njësi në më shumë se 80 tregje në botë ku deri më tani është krijuar rrjeti i shitjeve dhe servisimit.
Që nga themelimi i saj, kompania Chery ka zbatuar një strategji globalizimi, duke u bërë kompania e parë e makinave të udhëtarëve në Kinë që eksporton automjete të plota, pjesë për CKD, motorë, teknologji prodhimi dhe pajisje në tregun global. Për shkak se trendët e automobilave lëvizin me shpejtësi rrufe, Chery po përshpejton hyrjen e saj në epokën e automjeteve inteligjente duke bashkëpunuar me kompanitë kryesore të IT-së, siç janë Horizon Robotics, Huawei, iFly Tek…

Për tregjet në rajon dhe pjesën tjetër të kontinentit evropian, Chery fillimisht po përgatit një gamë prej tre automjetesh, të cilat me kalimin e kohës do të plotësohen me disa modele krejtësisht të reja dhe këtu janë paralajmërimet për motorë hibridë dhe versione plotësisht elektrike. Por kur do të vijë momenti i duhur. Tani është koha për të parë se cilët janë të zgjedhurit për të nisur ofensivën e shitjeve.
Chery FX
I plotë me stil
Si model global dhe më i vogël në gamë, modeli FX është një SUV i konceptuar fillimisht për të synuar gjeneratën e re, moderne që preferon format ekspresive stilistike. Prandaj dizajni i pjesës së përparme përbëhet nga një maskë e madhe e integruar me një pjesë e radiatorit ftohës që shtrihet pothuajse deri në skajet e pjesës së përparme të trupit të karrocerisë së gjerë prej 1,830 mm. Këtu, nga ana tjetër, grupet e dritave ndahen në dy grupe, dritat kryesore janë të vendosura më poshtë në parakolp, ndërsa dritat e ditës me tregues të integruar sekuencionalë për ndryshimin e drejtimit janë në linjë me kapakun e motorit. Silueta me një vijë të theksuar zbritëse dhe një lartësi maksimale prej 1.588 mm në pjesën e çatisë jep atë formë të dëshirueshme coupe që kohët e fundit merr një hov më të madh dizajni edhe tek automjetet SUV, ndërsa linjat që i shtojnë dinamikës fillojnë nën dritaret e dyerve të pasme dhe bashkohen me dritat e frenave me formë të mprehtë duke e bërë atë të duket shumë më i madh se madhësia e tij prej 4.400 mm.

Në pjesën e pasme, vëmendjen e tërheq spoileri i integruar i çatisë, i cili përbëhet nga dy pjesë me një formë interesante dhe grafika karakteristike të elementeve të lidhura ndriçuese. Te nivelet më të larta të pajisjes, mund të fitohen elementë të theksuar me ngjyrë të kuqe, të cilat takohen në disa pjesë të karrocerisë dhe në rrotat e mëdha të aliazhit. Në pjesën e kabinës, elementet janë të teknologjisë së lartë “haj-tek”, duke filluar me ekranet e vendosura të dyfishtë, secili me dimension prej 10,25 inç, të bashkuar në një tërësi në krye të konsolës qendrore. Të ndjekur nga shiriti me “shortcuts” të integruar në një torno dekorative piano të zezë, nën të cilën ka dy vende të realizuara në “alcantara” të dizajnuara për të ruajtur telefonin, në të njëjtën kohë duke i mundësuar atij të karikohet me valë. Ulëset e veshura me lëkurë duken luksoze dhe sportive, për udhëtarët në pjesën e pasme është siguruar hapësirë të mjaftueshme falë bazës së rrotave prej 2.630 mm. Ajo në të njëjtën kohë krijon një gabarit adekuat të bagazhit prej 380 litrash.

Chery Tiggo 7 PRO
Miku i familjes
Chery Tiggo 7 PRO zë vendin kryesor në shitjet totale të kompanisë. Ai nuk është vetëm modeli më i mirë sipas shitjes, por automobil i cili për një kohë të shkurtër ka arritur volumin më të lartë të dërgesave në segmentin e disa tregjeve të Lindjes së Mesme. Me fitimin e çmimeve të shumta që janë tregues i suksesit të modelit, kompania Chery vendosi që ky model meriton të lansohet në tregjet e tjera botërore. Si një SUV luksoz urban që ka fituar favorin e popullatës së re, familjare, Tiggo 7 PRO imponohet me dukjen e jashtme që flirton mes dizajnit klasik dhe atij modern që duket shumë tërheqës në përgjithësi. Linjat e tij ndërlidhen kryesisht me qetësinë dhe graciozitetin.

Në pjesën e brendshme theksohet konfigurimi i pasur me teknologji të gjeneratës së fundit, materiale të cilësisë së lartë dhe një përpunim përfundimtar që dallohet dhe duhet njëkohësisht t’i mundësojë atij të ndërhyjë në radhët e para të segmentit. Me proporcione të një SUV-i familjar, ai është për një nuancë më i madh në të gjitha drejtimet se modeli FX, është i vendosur në një platformë me distancë midis boshteve të rrotave prej 2.670 mm e cila siguron më shumë se hapësirë të mjaftueshme në pjesën e brendshme. Gjatësia e tij shkon deri në kufirin prej 4.500 mm, ndërsa gjerësia prej 1.840 mm po thotë që supet e bashkudhëtarit nuk do t’ju prekin. Lartësia prej 1.700 mm siguron një komoditet maksimal dhe kësaj duhet t’i shtohet edhe çatia e madhe panoramike me dimensione prej 1.13 m2. Vëllimi i bagazhit prej 475 litrash është më se i gatshëm për të përmbushur kërkesat e një familjeje moderne.

Chery Tiggo 8 PRO
Djali i madh
Si një produkt i vërtetë premium, Tiggo 8 PRO tregon me krenari identitetin e tij të një modeli lider në gamë. Maska e vendosur lart “diamanti” është krijuar ekskluzivisht për të me qëllim që të fitohet një formë unike estetike të pjesës së përparme. Tre linjat kryesore anësore krijojnë një efekt depërtues, si kur lëvizet ky SUV i gjatë 4.722 mm, por edhe kur nuk lëvizet. Po thonë se proporcionet thonë gjithçka, kështu që lartësia prej 1.705 mm dhe distanca e madhe midis boshteve të rrotave siguron një diapazon të shkëlqyer të hapësirës në kabinë, prandaj ky automjet vjen në mënyrë standarde me një konfigurim me shtatë ulëse, të cilat janë të veshura dhe të qepura në mënyrë luksoze. As materialet e tjera të përdorura në pjesën e brendshme nuk devijojnë nga standardi i lartë që kompania i ka vendosur vetes, duke bërë një tërësi të një pakoje vërtet të pasur.

Përsa i përket teknologjisë së avancuar dhe inteligjente, nuk ka shumë për të shtuar, pothuajse gjithçka që mund të imagjinoni ka gjetur vendin e saj edhe në këtë model. Më saktësisht, ai është i pajisur me 12 funksione ADAS që sigurojnë kontroll dhe stabilitet optimal në kushte të ndryshme drejtimi dhe ndërtojnë një sistem të llojllojshëm inteligjent sigurie për të gjithë që gjenden në kabinë. Për komoditetin do të përmendim vetëm se është në një nivel dukshëm më të lartë se përfaqësuesit më të vegjël. Në hapësirën e bagazhit, konfigurimi bazë është rreth 200 litra, por atëherë kur të gjitha shtatë ulëset janë në lojë, ju mbetet juve të vendosni se sa hapësirë ju nevojitet me shtyerje të thjesht të sipërfaqeve të ulëseve.

Vetën një agregat në ofertë
Me siguri ju pyetni veten se pse drejtuesi i automjeteve nuk është përmendur asnjë herë më lart. Përgjigja është jashtëzakonisht e thjeshtë, për të gjitha tre modelet aktualisht është paraparë vetëm një agregat, bëhet fjalë për një motor 1.6 litërsh turbo benzine që jep një fuqi maksimale prej 186 kuaj-fuqi dhe 275 Nm fuqi tërheqjeje. Fuqia në të gjitha tre rastet bartet përmes një marshi automatik me lidhëse të dyfishtë dhe shtatë shpejtësi që vjen nga raftet e prodhuesit të njohur Getrag. Gjithashtu, lëvizja në të gjitha modelet është ekskluzivisht në rrotat e përparme. Ndryshojnë vetëm përshpejtimet deri në 100 km/h dhe shpejtësia përfundimtare. Modeli FX arrin deri në 100 km/h për 7.8 sekonda, ndërsa shpejtësia e tij maksimale është 206 km/h. Tek modeli Tiggo 7 PRO, matjet thonë se ai shkon deri në kufirin prej 200 km/h, ndërsa për të arritur shpejtësinë prej 100 km/h i nevojiten 8.2 sekonda. Modelit Tiggo 8 PRO i nevojiten 9.1 sekonda për të arritur deri në 100 km/h, ndërsa shpejtësia e tij maksimale është 200 km/h.

Përsa i përket sigurisë te këto modele, duhet të theksohet se Chery u ka kushtuar vëmendje të madhe, kështu që VDC, ESP, TCS, EBD, HSA, HDC dhe drejtimi autonom nga niveli 2.5 janë vetëm një pjesë e sistemeve që vijnë me pajisjet standarde, ndërsa garancia nga 7 vjet ose 150.000 kilometra vlen për të gjitha versionet.
Në fund, mbetet pyetja se sa kushtojnë këto automjete? Fatkeqësisht, as ne nuk e dimë, aktualisht çmimet për tregun tonë janë në formim. Prandaj, ne as që përpiqemi të spekulojmë me këtë pjesë veçanërisht të ndjeshme dhe sapo të fitojmë pjesën e fundit të enigmës, do ta ndajmë atë me ju.





































































