Toyota i ofron ndihmë Nissan-it pas dështimit të negociatave me Honda
Pas dështimit të marrëveshjes me Honda, Toyota thuhet se i ka ofruar mbështetje Nissan ndërsa kompania ristrukturohet dhe kërkon partnerë të rinj.

Në botën e automobilave, gjashtë muaj mund të sjellin ndryshime drastike – diçka që Nissan e ka përjetuar nga afër. Në fund të vitit të kaluar, kompania ishte në bisedime të thella rreth një bashkimi të mundshëm me Hondën, me perspektivën e bashkimit të dy gjigantëve japonezë. Por marrëveshja dështoi aq shpejt sa dukej, duke e lënë Nissan të përballet me sfidat e veta.
Toyota hyn në lojë?
Sipas një raporti në Mainichi, Toyota iu afrua Nissan me një ofertë mbështetjeje menjëherë pas dështimit të marrëveshjes me Hondën. Edhe pse nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga asnjëra palë, ky veprim është plotësisht në përputhje me Toyotan, kompani e njohur për investimet e saj afatgjata dhe strategjike në prodhues të tjerë të automjeteve.
Toyota ka rritur gradualisht ndikimin e saj gjatë dekadave – nga blerja e vetëm 0.22% të Daihatsu në vitet 1960 deri në marrjen e plotë të markës në vitin 2016. Përveç kësaj, Toyota zotëron rreth 20% të Subaru, si dhe aksione më të vogla në Suzuki dhe Mazda, duke sugjeruar se ajo përdor rregullisht krizat e konkurrentëve si mundësi për të zgjeruar rrjetin e saj.
Nissan i hapur për partnerë të rinj, por në fillim është ristrukturimi
Edhe pse Nissan nuk ka konfirmuar ndonjë bisedë me Toyota-n, CEO Ivan Espinosa tha se kompania është e hapur për partnerë të rinj, por aktualisht është e përqendruar në stabilizimin e brendshëm.
“Ky është një proces i hapur revizioni. Ne po shqyrtojmë të gjithë partnerët potencialë që mund t’i sjellin vlerë shtesë korporative Nissan-it”, tha Espinosa gjatë prezantimit të planit të ri të ristrukturimit.
Plan ambicioz për rimëkëmbje
Plani i Nissan përfshin një sërë masash drastike:
- Pushimin e 20,000 punëtorëve në të gjithë rrjetin e saj global,
- Uljen e harxhimeve për orë pune me 20%,
- Uljen e kompleksitetit të pjesëve me 70%,
- Uljen e numrit të platformave,
- Mbylljen e 7 nga 17 fabrikat në të gjithë botën.
Qëllimi është i qartë – rivendosja e fitimprurësisë dhe konkurrueshmërisë në një kohë kur tregu global është nën presion të madh nga elektrifikimi, ndryshimi teknologjik dhe pasiguria ekonomike.



