Škoda me tizerin e parë paralajmëron Vision O elektrik

Škoda po përgatit konceptin Vision O si paralajmërim të parë të Octavia elektrike, që pritet të dalë në vitin 2029

Škoda ka përshpejtuar përgatitjet për Panairin IAA në Mynih në shtator me tizerin (foto ngacmuese) e parë paraprak për konceptin Vision O – studim për furgon elektrik që njofton se çfarë do të vijë për një nga modelet e saj më të suksesshme, Octavia. Koncepti i ri është treguesi i parë i gjeneratës së ardhshme tërësisht elektrike, e cila pritet të mbërrijë deri në vitin 2029.

Vizioni elegant dhe dinamik

Edhe pse Škoda ka publikuar vetëm një siluetë të vetme, është e qartë se Vision O është një furgon me dizajn sportiv – me xham të përparmë dinamikisht të pjerrët, vijë të ulët çatie dhe pjesë të pasme këndore që duket më shumë aerodinamike sesa praktike. Përshtypja vizuale i ngjan Audi A6 e-tron Avant, por me firmë dritash LED që e identifikon qartë Škodën.

Vision O është gjithashtu koncepti i parë që shfaq evolucionin e gjuhës së re të dizajnit të markës, të quajtur Modern Solid, i cili pritet të dominojë gjeneratën e re të automjeteve Škoda.

I lidhur ngushtë me VW ID.Golf, por me më shumë hapësirë

Nën karroceri, Vision O përdor të njëjtën platformë SSP si VW ID.Golf i ardhshëm, i cili gjithashtu do të debutojë para fundit të dekadës. Megjithatë, Škoda do të ketë një bazë më të gjatë boshtesh, që do të thotë se do të ofrojë më shumë hapësirë për pasagjerët dhe bagazhet – një nga armët më të forta të Octavia-s krahasuar me Golf-in gjatë viteve.

Edhe pse sistemi elektrik i transmisionit do të jetë një risi për Octavia-n, modeli nuk do të zëvendësojë menjëherë variantet ekzistuese të benzinës dhe hibride. Pritjet janë që të dy modelet do të bashkëjetojnë për disa vite, duke pasur parasysh popullaritetin e automjeteve hibride në Evropë.

Fuqia dhe teknologjia

Në versionin serik, që pritet midis viteve 2028 dhe 2029, do të jenë të disponueshme konfigurime me një ose dy motorë elektrikë, dhe platforma SSP do të mundësojë gjithashtu përdorimin e teknologjisë së karikimit të shpejtë 800 volt. Kjo do të thotë kohë më të shkurtra karikimi, përdorim më efikas të baterisë dhe efikasitet më të mirë të përgjithshëm të energjisë.

Zgjerim i suksesshëm elektrik

Škoda tashmë po sheh sukses serioz me ofertën e saj të SUV-ve elektrikë – Enyaq dhe Elroq – ndërsa së shpejti do të vijë edhe kompakti Epiq. Në gjysmën e parë të vitit 2025, regjistrimet e automjeteve të reja nga marka çeke u rritën me 13.6 përqind. Duke shtuar version elektrik të Octavia-s, Škoda po pozicionohet si një lojtar kyç në epokën e re të lëvizshmërisë elektrike të përballueshme dhe praktike.

Lajme të ngjajshëm

Back to top button