Škoda kujton të kaluarën me interpretim modern të Slavia B
Motoçikleta legjendare fituese e markës çeke, Slavia B, ka marrë interpretim modern si një "cafe racer" elektrik i shekullit 21.

Në kuadër të serisë “Icons Get A Makeover”, e cila u ka dhënë projektuesve të Škoda-s liri krijuese për të ridizajnuar modelet historike për pesë vjet, marka ka shkuar një hap më tej këtë herë – motoçikleta Slavia B është ringjallur në formën e një koncepti modern elektrik.

Nga biçikletë në motoçikletë elektrike
Edhe pse Škoda njihet sot për modelet e saj familjare SUV dhe makinat hatchback, rrënjët e markës datojnë që nga fundi i shekullit të 19-të, kur Vaclav Laurin dhe Vaclav Klement filluan të prodhonin biçikleta dhe motoçikleta. Slavia B e vitit 1899 ishte motoçikleta e parë që mbante firmën e tyre.

Sot, më shumë se 100 vjet pasi u prodhua motoçikleta e fundit, Škoda ka prezantuar konceptin e një versioni të modernizuar të Slavia B, krijuar nga dizajneri francez Romain Bucaille, i cili është pjesë e ekipit të dizajnit të markës. “Doja të bëja diçka unike dhe të kthehesha te rrënjët e markës”, thotë Bukay, i cili ka edhe bekgraund në inxhinieri mekanike.
Pamje “Cafe Racer” dhe transmision elektrik
Slavia B modern nuk ka shumë të përbashkëta me modelin origjinal – të paktën jo në shikim të parë. Bukay zgjodhi një stil sportiv “cafe racer”, me timon të ulët dhe një ulëse që duket sikur “fluturon” mbi rrotën e pasme. Në vend të motorit origjinal me një cilindër 1.7 KF, koncepti i ri është plotësisht elektrik, me potencial performance shumë më të madh.

Megjithatë, ka lidhje delikate të dizajnit me të kaluarën. Korniza mbetet e ndarë, me një seksion të përparmë në formë V, që simbolizon háček-un – diakritikën çeke mbi shkronjën Š, e cila përdoret edhe në dizajnin e grilës së modeleve RS të Škodës. Përfshihet gjithashtu një kuti veglash prej lëkure, e vendosur në kornizë – element që të kujton kohën kur shërbimi mekanik ishte një domosdoshmëri e përditshme për motoçiklistët.
Koncept që mbetet vetëm vizion
Edhe pse pamja retro-futuriste e Slavia B të re ka fituar shumë simpati, veçanërisht midis fansave të historisë së markës, modeli për fat të keq nuk do të hyjë në prodhim serik. Ashtu si projektet e tjera në serinë “Icons Get A Makeover”, ky koncept do të mbetet vizion dizajni, por me simbolikë të fortë dhe respekt për trashëgiminë e Škodës.




