Rregulla të reja për importin e automjeteve dhe kursim deri 1.3 milion euro
Me rregulloren e re thjeshtohen procedurat, ulen kostot, ndërsa importuesit do të lëshojnë certifikata për kërkesat teknike.

Prej dje ka hyrë në fuqi Rregullore e re me të cilën vendosen standarde evropiane në procedurat për miratimin e tipit të automjeteve, miratimin individual, identifikimin dhe vlerësimin e gjendjes teknike, si dhe lëshimin e certifikatave të përputhshmërisë me kërkesat teknike. Me këtë, pas 17 vitesh nga miratimi i Ligjit për Automjetet, më në fund fillon zbatimi i plotë i tij sipas rregullave evropiane.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon se ndryshimet iu prezantuan më shumë se 40 përfaqësuesve të autorizuar dhe importuesve të automjeteve, të cilët do të përfshihen drejtpërdrejt në procedurat e reja.
Ndryshimet kyçe dhe procedurat
Me rregulloren e re, miratimi i tipit të automjetit do të jetë i vlefshëm për të gjitha variantet dhe versionet sipas dokumentit WVTA, përveç nëse importuesi kërkon ndryshe. Miratimi individual do të kryhet vetëm për automjetet pa tip të miratuar në vend ose në Bashkimin Evropian, dhe të gjitha të tjerat do të kalojnë direkt në procedurën e identifikimit dhe vlerësimit teknik.
Importuesit tani janë të detyruar të lëshojnë certifikata të përputhshmërisë me kërkesat teknike për automjetet me miratim tipi evropian ose kombëtar. Për automjetet pa miratim, certifikatat do të lëshohen nga institucione të pavarura të njohura nga Byroja e Metrologjisë.
Përfitime financiare dhe administrative
Sipas vlerësimeve fillestare, rregullat e reja do të kursejnë rreth 1.3 milion euro në vit që deri më tani kanë përfunduar te kompanitë e huaja për certifikata TÜV që nuk duhej të kërkoheshin. Tani procesi do të rregullohet përmes përfaqësuesve të autorizuar – kompanive vendase, që do të thotë edhe mbajtja e parave në vend.
Afatet për miratim në Byronë e Metrologjisë do të shkurtohen përgjysmë, gjë që do të mundësojë procedurë më të shpejtë dhe më efikase. Çmimet e shërbimeve gjithashtu do të rregullohen, ndërsa certifikatat e përputhshmërisë me karakteristikat teknike te përfaqësuesit do të kushtojnë midis 40 dhe 50 euro.



