Renault dhe Stellantis kërkojnë ndryshime për të shmangur mbylljen e fabrikave

Dy grupet, Renault dhe Stellantis, të cilat janë ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë, po kërkojnë ndryshime rregullatore për prodhimin e makinave të vogla për të shmangur mbylljen e fabrikave.

Drejtori ekzekutiv i Renault, Luka de Meo, dhe kryetari i Stellantis, Xhon Elkan, i kanë dërguar një paralajmërim të qartë Bashkimit Evropian – nëse nuk miratohen rregullore më të favorshme për makinat e vogla, prodhimi në Evropë mund të reduktohet seriozisht dhe disa fabrika madje mund të mbyllen në tre vitet e ardhshme.

Në një intervistë të përbashkët me gazetën franceze Le Figaro, të dy udhëheqësit theksuan se Franca, Italia dhe Spanja duhet të jenë liderë në këtë iniciativë, pasi aty ka kërkesën më të madhe për automjete më të vogla dhe të përballueshme.

“Shumë rregulla për automjete të shtrenjta, shumë pak hapësirë ​​për çmime të përballueshme”

“Ajo që kërkojmë është rregullim i diferencuar për makinat e vogla. Aktualisht ka shumë rregulla që synojnë automjete më të mëdha dhe më të shtrenjta, gjë që e bën prodhimin e makinave të vogla financiarisht të paqëndrueshëm”, tha de Meo.

Ai shtoi se Renault dhe Stellantis, të cilat së bashku mbajnë rreth 30% të tregut evropian, janë të përqendruara në prodhimin e makinave të përballueshme për konsumatorët evropianë. Në të kundërt, prodhuesit premium nga Gjermania, si BMW dhe Mercedes, si dhe disa marka nga Grupi Volkswagen, janë më të orientuar drejt eksportit.

“Prioriteti i tyre janë eksportet dhe për 20 vitet e fundit ata kanë diktuar se si do të duken rregullat e tregut. Rezultati? Makina gjithnjë e më komplekse, më të rënda dhe më të shtrenjta, të cilat blerësi mesatar nuk mund t’i përballojë më”, tha de Meo.

Evropa në krizë të shitjes së makinave

Sipas Xhohn Elkan, shitjet e makinave në BE janë në një “nivel katastrofik” dhe për këtë arsye nevojiten ndryshime strategjike rregullatore për makinat e vogla. Përndryshe, Stellantis dhe Renault mund të detyrohen të marrin “vendime të dhimbshme” në lidhje me bazën e tyre të prodhimit në Evropë.

“Nëse nuk e ndryshojmë trajektoren tonë, rrezikojmë të mbyllim disa nga fabrikat tona në tre vitet e ardhshme”, tha Elkann.

Makinat japoneze Kei si një dalje e mundshme për Evropën

Një hulumtim nga instituti francez Gerpisa sugjeron që Bashkimi Evropian duhet të lejojë shitjen e automjeteve të ngjashme me makinat japoneze kei – automjete të vogla, elektrike dhe ekonomike për qytetin. Sipas drejtorit të institutit, Tommaso Pardi, një veprim i tillë do t’i lejonte industrisë evropiane të automobilave të rikrijonte automjetet që ishin krenaria e saj në vitet ‘80, ‘90 dhe 2000.

Këto automjete elektrike të përballueshme dhe të qëndrueshme jo vetëm që do të ulnin kostot për konsumatorët, por do të forconin edhe konkurrueshmërinë e prodhuesve evropianë përballë konkurrencës gjithnjë e më agresive kineze.

Lajme të ngjajshëm

Back to top button