Prodhuesit evropianë janë kundër tarifave për automjetet kineze

Bashkimi Evropian do të finalizojë planet e tij për t’u ballafaquar me automjetet e lira elektrike kineze këtë javë. Ashtu si SHBA, BE-ja ka shprehur shqetësimin për atë se si Kina mund t’i çmojë automjetet elektrike, duke sugjeruar se subvencionet e tepërta kanë çuar në automobila që mund të ofrohen me kosto artificialisht të ulëta.
Masa vjen pas veprimit të ngjashëm nga SHBA, ku Shtëpia e Bardhë katërfishoi tarifat për automjetet elektrike kineze muajin e kaluar, ma ç’rast tarifat u rritën nga 25 për qind në 100 për qind. Megjithatë, edhe pse liderët evropianë kanë shprehur shqetësimin për ndikimin që mund të ketë fluksi i makinave të lira elektrike kineze ndaj industrisë vendase, mbështetja për tarifat nga prodhuesit evropianë të automobilave ka munguar.
Prodhuesit evropianë të automobilave janë shumë të varur nga Kina për shitje dhe rrezikojnë veprime hakmarrëse nga Pekini. Dhoma Kineze e Tregtisë në BE ka paralajmëruar tashmë se vendi po shqyrton mundësinë e rritjes së tarifave për automobilat e importuar nëse hyjnë në fuqi tarifat e rritura të BE-së.
Përveç kësaj, Kina është një qendër e rëndësishme prodhimi për shumë prodhues evropianë të automobilave. Automobilat siç janë BMW iX3, Citroen C5 X dhe Dacia Sping janë shembuj të automobilave evropianë të prodhuara në Kinë ndaj të cilëve do të mund të ndikonin tarifat e propozuara.
Prodhuesit kanë frikë nga hakmarrja
HSBC vlerëson se prodhuesit gjermanë të automobilave marrin 20-23 për qind të përfitimeve të tyre nga shitja e automjeteve kineze, ndërsa drejtuesit e kompanive BMW, Mercedes dhe Volkswagen janë kundër aplikimit të tarifave.
Drejtori ekzekutiv i BMW-së, Oliver Tsipze, u tha investitorëve se nuk beson se industria ka nevojë për proteksionizëm dhe se me përfshirjen në beteja tregtare “ju mund të qëlloni veten në këmbë shumë shpejt”. Shefi i VW-së, Oliver Blume, ishte po aq i kujdesshëm në lidhje me tarifat, duke thënë se rreziku i hakmarrjes ishte “potencialisht i rrezikshëm”. Dhe Carlos Tavares, shefi i Stellantis, i përshkroi tarifat potenciale për automjetet elektrike kineze si “një kurth i madh për vendet që shkojnë në këtë rrugë”.
Megjithatë, masat e BE-së me sa duket nuk do të jenë aq drastike sa ato që i aplikojnë SHBA-të. Aktualisht, tarifat për automobilat e importuara nga vendet jashtë BE-së janë 10 për qind. Analistët presin që automjetet elektrike kineze të tërheqin 10-25 për qind shtesë.
Matthias Schmidt i Schmidt Automotive Research tha se edhe pse rritja e doganave të SHBA-së për automjetet elektrike kineze në 100 për qind është “proteksionizëm i pastër”, përgjigja e BE-së do të jetë më proporcionale. Duke folur për BBC-në, ai tha: “Nëse BE-ja vendos tarifa prej jo më shumë se 25%, ajo do të jetë më shumë për barazimin e fushës së lojës dhe barazimin e përparësisë prej 30% në kostot që kanë prodhuesit kinezë”.



