Premiera botërore për gjeneratën e gjashtë të Toyota RAV4
Toyota RAV4 e re debuton me 100 km autonomi elektrike, sistem të ri hibrid, interier dixhital dhe teknologjinë më të fundit Toyota Safety Sense.

Toyota ka prezantuar gjeneratën e gjashtë krejtësisht të re të modelit të saj të njohur SUV RAV4, i cili tani vjen me teknologji të përparuar hibride, 100 kilometra autonomi elektrike, interier të ri dixhital dhe sistemet më të fundit të sigurisë. Me këtë premierë, Toyota vazhdon të udhëheqë rrugën drejt lëvizshmërisë së qëndrueshme dhe përvojë të përmirësuar për përdoruesit.

Dizajn i fuqishëm dhe interier premium
RAV4 i ri vjen me dizajn të jashtëm modern dhe të fuqishëm, me siluetë të theksuar SUV dhe detaje vizuale që nxjerrin në pah gatishmërinë e tij për aktivitete në terren. Pjesa e brendshme ofron atmosferë të bollshme dhe premium, me kabinë të ridizajnuar, ergonomikë të përmirësuar dhe elementë të rinj dixhitalë.

Versioni RAV4 GR SPORT nxjerr në pah dinamizmin me pezullim të akorduar të veçantë, rrota aliazhi 20-inç dhe elementë sportivë të dizajnit të frymëzuar nga GAZOO Racing.
Hibrid plug-in i përparuar me autonomi elektrike deri 100 km
Sistemi hibrid plug-in krejtësisht i ri ofron autonomi deri në 100 kilometra (WLTP) me një bateri të re litium-jon prej 22.7 kWh, e mjaftueshme për drejtim të përditshëm pa ndezur motorin me djegie të brendshme. Bateria mbështet karikim të shpejtë DC deri në 50 kW, si dhe një karikues të ri AC 11 kW, i cili mundëson karikimin në rreth tre orë.

Me fuqi totale prej 304 KF dhe përshpejtim nga 0-100 km/orë në vetëm 5.8 sekonda, RAV4 i ri ofron dinamikë të rrallë në këtë segment. Për herë të parë, do të ofrohet edhe një version hibrid plug-in me motor të përparmë me 268 kuaj fuqi.

Gjenerata e re e Toyota RAV4 do të jetë gjithashtu e disponueshme si hibrid i plotë, me mundësi zgjedhjeje midis versioneve me tërheqje në rrotat e përparme (183 KF) dhe versioneve AWD-i (191 KF), me përmirësime në transmision, motor dhe bateri për reagim më të shpejtë dhe më efikas gjatë vozitjes.
Platforma Arene – revolucion dixhital
Një element i rëndësishëm i RAV4 të ri është debutimi i platformës së re të softuerit Arene, e cila ofron një hap fillestar drejt automjeteve të përcaktuara nga softueri, duke mundësuar përditësime të rregullta pa tela dhe shërbime dixhitale të përmirësuara. Ekrani i ri qendror 12.9 inç dhe paneli i instrumenteve 12.3 inç ofrojnë vizualizim të përparuar, duke përfshirë navigimin 3D, Google Points of Interest, asistent inteligjent me komanda zanore dhe integrimin me aplikacionin MyToyota.

Përveç të gjitha këtyre, RAV4 i ri prezanton paketën më të fundit Toyota Safety Sense, me karakteristika të reja si Front Cross Traffic Alert, Lane Change Assist, Secondary Collision Brake dhe Advanced Park nëpërmjet telefonit inteligjent. Me Arene, të gjitha këto sisteme do të jenë të qasshme pa tel.
RAV4 i ri do të ofrohet ekskluzivisht si plug-in ose hibrid i plotë, në përputhje me strategjinë e dekarbonizimit të Toyota-s. Toyota vuri në dukje se modeli do të shitet në mbi 180 vende dhe rajone në të gjithë botën, me çmimet për Evropën që pritet të shpallen në një datë të mëvonshme.





