Ndryshim i strategjisë, Audi do t’i ruajë motorët klasikë

Audi ka vendosur të ndryshojë strategjinë e saj dhe të mbajë motorët me djegie të brendshme pas vitit 2032

Industria e automobilave nuk është ende gati për një të ardhme tërësisht elektrike, dhe Audi është marka e fundit që vendos të shtyjë planin e saj origjinal për kalim të plotë në automjetet elektrike. Ky vendim do të thotë se prodhuesi gjerman do të vazhdojë të ofrojë modele me motorë me djegie të brendshme dhe hibride plug-in (PHEV) për më shumë se sa ishte planifikuar më parë.

Në konferencën vjetore të medias të Audi për vitin 2025, drejtori ekzekutiv Gernot Dellner tha: “Si pjesë e nismës sonë të prodhimit, ne nuk po lansojmë vetëm modele të reja elektrike, por edhe gjeneratë të re automjetesh me motorë me djegie të brendshme dhe hibride plug-in. Prodhimi i automjeteve tona të fundit me motorë konvencionale do të varet nga kushtet e tregut global”.

Zgjatja e jetës së motorëve me djegie të brendshme

Audi më herët njoftoi se gjenerata e ardhshme e modelit Q7 do të jetë e fundit që do të ketë motor me djegie të brendshme, me synimin për të përfunduar zhvillimin e motorëve të tillë në vitin 2026 dhe kalimin e plotë në automjetet elektrike deri në vitin 2032. Por, sipas deklaratave të reja të Delnerit, ky plan nuk është më aktual.

Ky ndryshim në strategji ndjek shembullin e konkurrentëve si BMW, Mercedes dhe Volvo, të cilët gjithashtu kanë vendosur të vonojnë elektrifikimin e plotë të ofertave të tyre. Edhe Porsche planifikon të vazhdojë prodhimin e automjeteve me motorë klasikë deri në vitet 2030.

Hibridet plug-in si fazë kalimtare

Në konferencë, Audi njoftoi gjithashtu modelet e reja që do të prezantohen gjatë vitit 2025, ndërsa Dellner theksoi veçanërisht rëndësinë e automjeteve hibride plug-in. Ai tha se teknologjia PHEV do të jetë “pjesë qendrore e portofolit të Audi” pasi kompania gradualisht lëviz drejt një oferte tërësisht elektrike.

Një nga modelet e para që ka marrë version hibrid plug-in është Audi A5, premiera e të cilit është planifikuar për më 25 mars. Kjo është pjesë e 10 modeleve të reja PHEV të planifikuara që Audi do të prezantojë këtë vit. Për më tepër, gjenerata e re e Q3 do të arrijë në treg këtë verë, pas lansimit të fundit të riut Audi A6 Avant.

Sfidat dhe strategjitë e reja për tregjet amerikane dhe kineze

Audi paralajmëron lansimin e 10 modeleve të reja në Amerikën e Veriut deri në fund të vitit 2025, ndërsa po shqyrton gjithashtu opsione shtesë të prodhimit vendor për të shmangur tarifat e reja amerikane. Në Kinë, marka ka forcuar strategjinë e saj në partneritet me FAW dhe SAIC, duke synuar të jetë një pjesë e rëndësishme e rritjes së tregut kinez të automjeteve elektrike, duke ruajtur pozicionin e saj të fortë në automjetet me motorë konvencionalë.

Megjithatë, drejtori financiar Jirgen Ritersberger paralajmëroi se viti 2025 do të jetë “shumë sfidues” për shkak të situatës së tensionuar gjeopolitike dhe ekonomike që nga viti 2024. Pavarësisht kësaj, Audi beson se portofoli i rinovuar i modeleve që po vjen gradualisht në tregje do të përmirësojë pozicionin e brendit.

Vendimi i Audi për të vonuar elektrifikimin e plotë është një shenjë se tregu global nuk është ende gati për një të ardhme “vetëm elektrike”. Duke vepruar kështu, kompania balancon me kujdes teknologjitë inovative elektrike dhe zgjidhjet tradicionale që janë ende të kërkuara nga konsumatorët.

Lajme të ngjajshëm

Back to top button