Mynih 2025: BMW iX3 i ri dhe fillimi i epokës “Neue Klasse”
BMW ka prezantuar gjeneratën e re të iX3, e cila është modeli i parë në platformën Neue Klasse, me 463 kuaj fuqi, 644 kilometra autonomi dhe dizajn futurist.

BMW ka prezantuar zyrtarisht gjeneratën e dytë të iX3, SUV-in e parë elektrik të prodhimit serik që përdor platformën e re “Neue Klasse”. Modeli njofton një drejtim krejtësisht të ri dizajni, inovacione teknologjike dhe performancë të përmirësuar ndjeshëm, duke hedhur themelet për të ardhmen e markës.

Dizajn i frymëzuar nga klasikët
Versioni i prodhimit i iX3 i mbetet besnik konceptit Vision Neue Klasse X, me përmasa të dallueshme një qasje minimaliste. Në pjesën e përparme, grila vertikale “veshkore” dhe dritat e holla të frymëzuara nga BMW 2002 marrin interpretim modern, ndërsa profili anësor përcaktohet nga linja të mprehta dhe krahë muskulorë. Pjesa e pasme ka drita frenash të pozicionuara horizontalisht dhe aerodinamikë të përmirësuar me koeficient prej 0.24, që është përmirësim i ndjeshëm krahasuar me gjeneratën e mëparshme.

Brendësia me “Panoramic iDrive”
Kabina është ndryshuar rrënjësisht, e udhëhequr nga Panoramic iDrive i ri – një ekran që shtrihet në të gjithë gjerësinë e xhamit të përparmë. Sistemi funksionon në bashkëpunim me një ekran qendror 17.9 inç dhe një ekran të ri head-up, të menaxhuar nga BMW Operating System X.
Pavarësisht dixhitalizimit, BMW ka ruajtur kontrollet fizike për funksionet më të rëndësishme si treguesit, fshirësit dhe kontrolli i zërit. Hapësira është rritur falë platformës EV, me bagazh prej 861 litrash, i cili arrin në 1,841 litra me sediljet e ulura, plus “frunk” shtesë prej 57 litrash.

Motor i fuqishëm dhe inteligjent
Versioni i parë që mbërrin në treg është iX3 50 xDrive, me dy motorë elektrikë dhe tërheqje në të gjitha rrotat. Sistemi zhvillon 463 kuaj fuqi dhe 645 Nm çift rrotullues, të cilat mundësojnë përshpejtimin nga 0-100 km/orë në 4.7 sekonda dhe shpejtësi maksimale prej 209 km/orë.
Bateria e re ofron autonomi deri në 644 km (WLTP), ndërsa falë arkitekturës 800 volt dhe mbështetjes për karikim DC 400 kW, SUV mund të fitojë 370 km autonomi në vetëm 10 minuta.

Teknologjia dhe siguria
Modeli përdor katër superkompjuterë – “superbrains” – që menaxhojnë të gjitha funksionet: nga shtytja dhe frenimi deri te infotainment dhe sistemet autonome. iX3 gjithashtu ofron Highway Assistant për drejtim pa duar në seksione të caktuara, si dhe softuer plotësisht të përditësueshëm nëpërmjet përditësimeve OTA.
Prodhimi dhe disponueshmëria
Prodhimi i iX3 të ri do të fillojë në fabrikën në Debrecen, Hungari, në tremujorin e parë të vitit 2026. Modeli do të mbërrijë në tregjet evropiane dhe amerikane në mesin e vitit 2026, me çmim fillestar prej rreth 60,000 eurosh. Me të, BMW po fillon revolucionin Neue Klasse, ndërsa deri në vitin 2027 marka planifikon pothuajse 40 modele të reja ose të rifreskuara në këtë platformë.




