Markat kineze të automjeteve elektrike po marrin vrull serioz në Evropë

Vetëm një vit më parë, në fillim të vitit 2024, Tesla mbante titullin e markës elektrike më të shitur në Evropë për vitin 2023, madje Model Y u bë makina më e shitur në të gjithë kontinentin. Por shifrat e reja të shitjeve për shkurt 2025 tregojnë rënie dramatike për markën amerikane dhe përparim të fortë nga konkurrentët kinezë në 28 tregjet kryesore në Evropë.

Shitjet e Tesla-s ranë për 44 përqind

Sipas të dhënave nga Jato Dynamics, Tesla shiti vetëm 15,700 makina në shkurt 2025, krahasuar me 28,100 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, rënie prej 44 përqind. Kjo rënie vjen në një kohë kur tregu i automjeteve elektrike në Evropë u rrit me 26 për qind, duke arritur në 164,100 automjete të shitura në total.

Ndërkohë, markat kineze shitën 19,800 automjete në shkurt, duke tejkaluar rezultatet e Tesla-s dhe duke treguar qartë se kompanitë kineze po kapin me shpejtësi një pjesë të konsiderueshme të tregut evropian të automobilave.

Rënia e shitjeve të Model Y dhe Model 3

Pjesa e tregut të Tesla-s ra në 9.6 përqind, niveli më i ulët për muajin shkurt në pesë vitet e fundit. Shitjet e Model Y ranë deri në 56 për qind, në vetëm 8,800 njësi, ndërsa shitjet e Modelit 3 ranë me 14 për qind në 6,800 njësi. Një arsye për rënien është me gjasë prezantimi i Model Y “Juniper” të rifreskuar, i cili vonoi blerësit deri në mbërritjen e versionit të ri në Evropë.

VW dhe markat kineze shfrytëzojnë mundësinë

Nëse Modeli i ri Y do të përmirësojë pjesën e tregut të Tesla-s mbetet pikëpyetje, veçanërisht duke pasur parasysh konkurrencën në rritje nga markat evropiane dhe kineze. BYD regjistroi rritje prej 94 për qind me 4,436 automjete të shitura, Polestar u rrit me 84 për qind në 2,405 automjete, ndërsa XPeng me 1,034 automjete të shitura rriti rezultatin me 259 për qind krahasuar me shkurtin 2024.

Volkswagen ishte marka më e suksesshme në shitjet e makinave elektrike në shkurt, me rritje prej 18o për qind dhe 19.600 automjete të shitura. Modeli i tyre ID.4 ishte makina e tretë më e shitur elektrike, menjëherë pas Model 3 dhe Model Y, ndërsa ID.7 dhe ID.3 zunë vendin e pestë dhe të gjashtë.

Me këtë zhvillim, është e qartë se Tesla do të duhet të merret seriozisht me konkurrencën në rritje nëse dëshiron të ruajë rolin e saj udhëheqës në tregun evropian të makinave elektrike.

Lajme të ngjajshëm

Back to top button