Marka më luksoze kineze vjen në Evropë me 15 modele
Hongqi ka prezantuar modelin EHS5 dhe njofton zgjerim të madh në Evropë me mbi 15 modele të reja deri në vitin 2028

Hongqi, marka më e vjetër kineze e makinave të pasagjerëve, u themelua në vitin 1958 si pjesë e Grupit shtetëror FAW, i cili është gjithashtu një nga katër prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve në vend. Kjo markë është një simbol i luksit dhe lëvizshmërisë premium në Kinë, e cila tani ka strategji për t’u zgjeruar përtej kufijve të saj.
Deri më tani, Hongqi si markë shoqërohej dhe rezervohej për zyrtarë të lartë qeveritarë dhe ceremoni shtetërore, ndërsa automjetet e saj përdoren nga qeveria kineze, prandaj marka është shoqëruar me luksin dhe statusin për dekada dhe konsiderohet një lloj Rolls-Royce kineze. Me strategjinë e fundit, Hongqi po ndryshon rolin e saj, duke u transformuar në një lojtar global në mënyrë që të pushtojë tregun evropian me një gamë modelesh moderne elektrike dhe hibride.

Për këtë qëllim, Hongqi, në hijen e ngjarjeve kryesore, prezantoi SUV-in e saj të ri elektrik EHS5 në Panairin e Automobilave të Mynihut 2025, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zgjerimin e saj evropian. Kompania, emri i së cilës përkthehet lirshëm si “flamuri i kuq”, ka një qëllim ambicioz – të hapë më shumë se 200 sallone ekspozitash në të gjithë Evropën deri në vitin 2028 dhe të lansojë të paktën 15 modele të reja elektrike dhe hibride.
Dizajni dhe teknologjitë
Hongqi EHS5 i ri është një SUV i mesëm që kombinon estetikën moderne kineze me shijen evropiane. Ndërsa pjesa e përparme është mjaft konservatore dhe kujton modelet nga markat e tjera kineze, pjesa e pasme bie në sy me grupe elegante dritash LED me një dizajn dallues. Modeli përdor një bateri 85 kWh që ofron autonomi të deklaruar WLTP prej 550 kilometrash, ndërsa karikimi nga 10 deri në 80 përqind zgjat vetëm 20 minuta.

Kur bëhet fjalë për vetë dizajnin, vihet re se EHS5 ka një dizajn shumë më të zakonshëm sesa ai me të cilin është mësuar Hongqi, duke pasur parasysh se është i njohur për dizajnin e tij luksoz që i ngjan Maybach dhe Rolls-Royce.
Fuqia dhe performanca
Edhe pse specifikimet e sakta për tregun evropian nuk janë zbuluar ende, në Kinë EHS5 ofrohet në versione me 339 kuaj fuqi me tërheqje në rrotat e pasme, si dhe në konfigurim me 610 kuaj fuqi me tërheqje në të gjitha rrotat dhe një bateri 111 kWh. Modeli evropian pritet të ketë performancë disi më të moderuar, por ende të mjaftueshme për të konkurruar me rivalët në këtë segment.

Planet evropiane
Hongqi është tashmë i pranishëm në disa tregje evropiane, duke përfshirë Norvegjinë, Holandën dhe Poloninë. Plani është të zgjerohet në mënyrë agresive gjatë tre viteve të ardhshme, duke zgjeruar rrjetin e shitësve dhe duke lançuar modele të reja që duhet të forcojnë imazhin e markës si një lojtar premium në segmentin elektrik.
Me EHS5, Hongqi po dërgon një mesazh të qartë – tregu evropian po bëhet një nga prioritetet e tij kryesore dhe konkurrenca midis modeleve kineze të SUV-ve elektrikë sapo është bërë edhe më interesante.




