Ferrari do ta furnizojë Cadillac me motorë për Formula 1
Ekipi Cadillac pritet të përdorë motorët e Ferrarit për dy vite përpara se GM të fillojë ndërtimin dhe furnizimin me agregatet e veta V6

Vetëm disa ditë pasi humbi kampionatin e konstruktorëve, Ferrari zbuloi se do të furnizojë me motorë ekipet e reja të Cadillac në Formula 1, duke filluar nga sezoni 2026. Marrëveshja, e cila do të zgjasë për disa sezone, nuk zbulon detaje financiare.
General Motors (GM), Cadillac dhe Andretti kanë marrë miratim të përkohshëm për të hyrë në Formula 1 nga viti 2026, pas garës në Las Vegas në nëntor, pasi aplikimi i tyre i mëparshëm u refuzua në fillim të këtij viti. GM njoftoi se qëllimi i tyre është të kalojnë në një ekip të plotë “works” deri në vitin 2028, me motorët e tyre. Prandaj, ekipi duhej të siguronte furnizues motori për 2026 dhe 2027, dhe zgjedhja e tyre ra në Ferrari. Prodhuesi italian gjithashtu do të vazhdojë të furnizojë Haas, ekipin tjetër amerikan në Formula 1.
“Është fantastike të shohësh një ekip tjetër amerikan, të mbështetur nga një prej markave më të njohura në industrinë e automobilave, në një kohë kur Formula 1 po rrit popullaritetin e saj në Shtetet e Bashkuara”, tha Frédéric Wasser, drejtor i ekipit të Scuderia Ferrari.

“Ne jemi të kënaqur të furnizojmë ekipin me motorin tonë dhe kutinë e shpejtësisë si pjesë e këtij bashkëpunimi teknik. Kjo do të thotë se ne do të vazhdojmë të kemi dy ‘skuadra klientësh’ në kampionat, gjë që sjell përfitime në drejtim të zhvillimit teknik për Ferrarin”, shtoi ai.
Shefi ekzekutiv i Ferrarit, Benedetto Vigna shprehu krenarinë për bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre: “Suksesi i këtyre ekipeve varet edhe nga motori ynë dhe ne ndjejmë përgjegjësi për këtë”.
Ndikimi në ekipin e GM
Edhe pse ekipi i GM nuk ka marrë ende konfirmimin zyrtar me shkrim për pranimin e tyre në Formula 1, marrëveshja me Ferrarin do të jetë e vlefshme vetëm nëse pjesëmarrja e tyre finalizohet.
Më parë, ekipi Andretti kishte kontratë për të furnizuar me motorë nga Renault. Por në shtator të vitit 2024, marka franceze konfirmoi se do t’i jepte fund programit të motorëve F1 pas sezonit 2025, duke e kaluar ekipin Alpine në motorët Mercedes.



