Ferrari 296 Speciale: Evolucioni i platformës hibride V6
Ferrari 296 Speciale dhe Speciale A marrin 20 përqind më shumë fuqi shtytëse se GTB dhe GTS me fuqi shtesë prej 50 kuajsh.

Ferrari ka zbuluar zyrtarisht modelin 296 Speciale – versionin më ekstrem të makinës së saj super sportive hibride V6 deri më sot, dhe gjithashtu versionin më të fuqishëm rrugor që ky model ka ofruar ndonjëherë. Së bashku me versionin e hapur 296 Speciale A, risia sjell më shumë fuqi, aerodinamikë më agresive dhe peshë të reduktuar ndjeshëm – formulë që të kujton legjendaren 458 Speciale.

Më shumë fuqi dhe performancë më e shpejtë
296 Speciale e ruan motorin 2.9 litra V6 me dy turbo, por falë pistonëve të rinj prej alumini dhe lidhësve të titanit të marrë nga Ferrari F80, motori tani ofron 690 kuaj fuqi. Komponenti hibrid i përmirësuar rrit më tej prodhimin total të sistemit në 868 kuaj fuqi, krahasuar me 819 kuaj fuqi në modelin standard 296 GTB.

Performanca është e përshtatshme për shenjën Speciale: nga 0 në 100 km/orë arrihet në vetëm 2.8 sekonda, ndërsa në 200 km/orë në 7 sekonda. Në pistën e garave Fiorano, 296 Speciale regjistroi kohë prej vetëm 1 minutë e 19 sekondash – dy sekonda më shpejt se 296 GTB me paketën Fiorano.
Më pak peshë dhe më shumë mbërthim
Ferrari arriti të ulte peshën deri në 60 kilogramë falë përdorimit të gjerë të fibrave të karbonit, komponentëve më të lehtë të motorit dhe një interieri më të reduktuar. Parakolpët e rinj, difuzori masiv dhe një spoiler aktiv ofrojnë 20% më shumë forcë aerodinamike krahasuar me modelin standard.

Shasia është ulur më tej me 5 mm dhe vjen me goma speciale Michelin Pilot Sport Cup 2, susta titaniumi dhe amortizatorë Multimatic, të frymëzuar drejtpërdrejt nga modeli i garave 296 GT3. Pezullimi është konfiguruar për të ofruar performancë optimale si në rrugë ashtu edhe në pistë, megjithëse udhëtimi pritet të jetë më agresiv dhe më i zhurmshëm.
Dizajn dhe ngjyrë ekskluzive “Verde Nürburgring”
Ferrari ofroi gjithashtu një ngjyrë të re ekskluzive për Speciale – “Verde Nürburgring”, një nuancë e gjelbër e errët që thekson në mënyrë të përkryer pamjen agresive të modelit. Në kontrast, versioni i hapur Speciale A u shfaq me të kuqen tradicionale, por me të njëjtin shpirt garues.

Brendësia është reduktuar në minimum, pa elementë të panevojshëm, me një kanal të veçantë që e drejton zërin nga motori direkt në kabinë për një përvojë më intensive.
Ndryshe,, ekzistojnë dy versione të këtij modeli – njëri është Speciale dhe tjetri është Speciale A. Dallimi është se Speciale A vjen pa çati. Ferrari 296 Speciale i ri është në dispozicion vetëm për klientët besnikë që kanë blerë më parë një model Ferrari. Prodhimi është rreptësisht i kufizuar, duke e bërë këtë model edhe më ekskluziv.





