Shefi i Renault-it propozon aleancën evropiane si përgjigje e Kinës
Bashkimi në një prodhues pan-evropian të automjeteve elektrike mund t'i ndihmojë kompanitë të konkurrojnë me prodhuesit kinezë

Shefi ekzekutiv i Renault-it, Luka de Meo u ka bërë thirrje prodhuesve evropianë të automobilave të bashkohen dhe të formojnë një konglomerat të stilit Airbus për të prodhuar automjete elektrike me çmime të përballueshme, të afta për të konkurruar me importet kineze që pushtojnë kontinentin.
Airbus u krijua në vitin 2000 si një iniciativë e përbashkët midis kompanive evropiane ajrore. Ajo mbështetet nga qeveritë evropiane dhe kompanitë janë bashkuar për të konkurruar kundër kompanive të mëdha amerikane, si Boeing.
Sipas De Meo-s, prodhuesit evropianë të automobilave duhet të bëjnë diçka të ngjashme për të konkurruar me fluksin në rritje të automjeteve elektrike të dispunueshme nga Kina, të cilat u paraqitën si shumë të fuqishme në segment. Drejtori ekzekutiv i markës franceze theksoi se “ne duhet të jemi kreativë për të gjetur një zgjidhje”, transmeton Auto News Europe.
“Partnerët mund të ndajnë investimin dhe të ulin kostot” e prodhimit të automjeteve të reja, tha De Meo gjatë Panairit në Gjenevë. Ai gjithashtu theksoi shembujt e së kaluarës kur kanë bashkëpunuar prodhuesit evropianë të automobilave, si për shembull për platformën “Type 4” në vitet e 80-ta, të cilën e kanë ndarë Alfa Romeo, Fiat, Lancia dhe Saab.
Renault është tashmë në bisedime me Volkswagen për të ndarë platformën AmpR që mbështet Renault 5 dhe gjithashtu do të gjendet edhe te modeli më i vogël Twingo, një automobil elektrik që prodhuesi planifikon të lansojë me një çmim prej 20,000 Eurosh.

Zinxhiri i vlerave evropiane
Sipas De Meo-s, sfida e një projekti të tillë do të ishte krijimi i një zinxhiri vlerash evropiane që përfshin bateri, motorë dhe elektronikë, siç kanë bërë prodhuesit kinezë të automobilave. “Qëllimi është të blihet gjithçka në Evropë me një çmim më konkurrues”, tha De Meo.
Më tej ai pohon se krijimi i shpejtë i automobilave do të jetë një sfidë e madhe për prodhuesit evropianë të automobilave. Ai tha se Renault ka shkurtuar kohën e zhvillimit të automjeteve të tij elektrike nga katër në tre vjet për Renault 5, ndërsa do ta shkurtojë atë në dy vjet për modelin Twingo.
“Shpejtësia është e rëndësishme kundër kinezëve”, tha ai. “Jetojmë në një botë të pasigurt. Në të kaluarën, me automobilat me djegie të brendshme, mund të parashikohej se çfarë do të vinte”.
Përveç kësaj, De Meo theksoi se rregullat e BE-së duhet të mundësojnë automobilat e vegjël japonezë “kei” në zonat urbane, të ulin tatimin mbi vlerën e shtuar për automjetet e vogla elektrike me bateri të vogla ose të mundësojnë që automjetet e vogla të kenë parkim falas për të inkurajuar përdorimin e tyre.



