Volkswagen do t’i pajisë automjetet e tij me ChatGPT
Teknologjia ChatGPT, e quajtur Cerence Chat Pro, do t'i shtohet modeleve ID, Tiguan, Passat dhe Golf të ridizajnuar në Evropë

VW po përmirëson asistentin e tij zanor duke përfshirë teknologjinë ChatGPT në një numër të madh automobilash aktualë dhe të ardhshëm elektrikë dhe automobilash me djegie. Prodhuesi i automobilave do të tregojë asistentin e tij të ri digjital në CES në Las Vegas këtë javë dhe do të fillojë ta instalojë atë në automobilat serikë nga tremujori i dytë i vitit 2024 në Evropë.
Teknologjia quhet Cerence Chat Pro dhe është e zhvilluar me partnerin teknologjik të VW, Cerence Inc. Prodhuesi i automobilave thotë se do të jetë marka e parë që do të zbatojë ChatGPT si standard për automobilat dhe do ta zbatojë atë te ID.3, ID.4, ID.5, ID.7, Passat-i i ri, Tiguan dhe Golf-i i ardhshëm i ridizajnuar.
VW thotë se ChatGPT e bën asistentin zanor shumë më të sofistikuar se më parë, që i mundëson atij jo vetëm të kontrollojë sistemin mediatik, por edhe të përshtatë kontrollin e klimës dhe t’u përgjigjet pyetjeve të njohurive të përgjithshme.
Shoferi nuk ka nevojë të bëjë asgjë ndryshe për t’i qaset kësaj karakteristike të re dhe mund të aktivizojë asistentin zanor duke thënë “Hello IDA” ose duke shtypur një buton në timon. VW përpiqet të theksojë se Chat GPT nuk fiton asnjë qasje në të dhënat e automjetit dhe na bind se pyetjet dhe përgjigjet fshihen menjëherë për të siguruar nivelin më të lartë të mundshëm të mbrojtjes së të dhënave.



