Zgjerimi i BYD në Evropë do të merr edhe më shumë vrull

BYD dyfishon rrjetin evropian në vitin 2026 dhe hap një fabrikë në Hungari, me plane për të prodhuar edhe në Turqi dhe Spanjë

Prodhuesi kinez BYD, i cili ishte një pamje e rrallë në rrugët evropiane vetëm pak vite më parë, sot është ndër gjigantët e automobilave me rritjen më të shpejtë në botë. Kompania vazhdon të zgjerojë në mënyrë agresive praninë e saj në kontinentin e vjetër, ndërsa viti 2026 premton rritje edhe më drastike falë partneriteteve të reja, koncesionerëve dhe objekteve të prodhimit evropian.

Aktualisht, BYD tashmë operon në 29 tregje evropiane dhe ka rreth 1,000 vende shitjeje dhe shërbimi në të gjithë kontinentin. Por sipas njoftimeve, ky është vetëm fillimi, numri do të dyfishohet vitin e ardhshëm.

Strategjia për zgjerim të shpejtë dhe të lokalizuar

Në një aktivitet në Frankfurt, Maria Grazia Davino, drejtoresha rajonale e BYD për Evropën, prezantoi planin për fazën tjetër të rritjes së markës. Ajo tha se BYD do të dyfishojë kapacitetin e saj të shitjeve dhe shërbimeve në Evropë deri në vitin 2026, duke synuar të jetë më afër klientëve dhe të pozicionohet më konkurrues në sektorin e mbipopulluar të automjeteve elektrike.

“Për të qenë në të njëjtin nivel me konkurrentët e suksesshëm, duhet të jemi më afër klientëve evropianë”, tha Davino për Reuters.

Ky veprim vjen në një kohë kur BYD po shënon rezultate të jashtëzakonshme: vetëm në nëntë muajt e parë të vitit, kompania shiti 80,807 automjete në Evropë, që paraqet rritje trefish krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Fabrikë e re në Hungari, qendra e prodhimit evropian

Një pjesë kyçe e “strategjisë afatgjatë të lokalizimit” është hapja e një fabrike të re në Hungari, e cila do të bëhet baza logjistike dhe e prodhimit të BYD në Evropë. Kjo strukturë do të zvogëlojë varësinë nga importet nga Kina dhe do të përshpejtojë mbërritjen e modeleve të reja në tregun evropian.

Përveç fabrikës hungareze, BYD tashmë po shqyrton vende të tjera evropiane. Turqia përmendet si një kandidat serioz për një qendër të dytë prodhimi, ndërsa kompania nuk e përjashton mundësinë e një fabrike në Spanjë.

BYD sheh potencial të madh pavarësisht tarifave

Edhe pse tarifat e reja evropiane për automjetet elektrike kineze po e bëjnë situatën më të vështirë, BYD nuk tregon shenja ngadalësimi. Përkundrazi, kompania i sheh tarifat si motivim shtesë për një lokalizim më agresiv të prodhimit.

“Lokalizimi në një rajon kaq të pjekur si Evropa është një projekt serioz. Kërkon njohuri, përkushtim dhe investime në të gjitha nivelet”, theksoi Davino.

Me plane ambicioze për të dyfishuar rrjetin e saj, fabrika të reja dhe rritje të vazhdueshme të shitjeve, BYD po përgatitet të bëhet një nga lojtarët dominues në tregun evropian të automjeteve elektrike. Ajo që dukej si një eksperiment pesë vite më parë, tani duket si një valë e pandalshme që do të ndryshojë peizazhin konkurrues në Evropë.

Lajme të ngjajshëm

Back to top button