Ish-shefi i Stellantis paralajmëron – Grupacioni mund të shpërbëhet
Ish-shefi Carlos Tavares paralajmëron se Stellantis mund të shpërbëhet pa lidership të fortë dhe ekuilibër midis Evropës dhe SHBA-së

Ish-drejtori ekzekutvi i Stellantis, Carlos Tavares, pas largimit të tij të papritur nga kompania në dhjetor të vitit të kaluar, ka dalë me një libër të ri në të cilin ai zbulon shqetësime serioze në lidhje me të ardhmen e gjigantit të automobilave. Sipas shkrimeve të Bloomberg, Tavares paralajmëron se Stellantis mund të jetë në rrezik shembjeje nëse nuk ruhet një ekuilibër i kujdesshëm midis tregjeve dhe interesave kryesore.
Tre qendra fuqie që mund të prishin stabilitetin
“Jam i shqetësuar se trekëndëshi midis Italisë, Francës dhe SHBA-së mund të prishet”, shkruan Tavares në libër. Sipas tij, ruajtja e unitetit midis markave dhe rajoneve kërkon një “luftë” të përditshme politike dhe të korporatave. Pa të, Stellantis mund të përballet me përçarje të brendshme dhe përplasje strategjike.
Ai shton se pas largimit të tij, “interesat franceze mund të mos mbrohen aq sa më parë”, duke vënë në dukje se ndikimet dhe prioritetet brenda grupit ndryshojnë vazhdimisht.

Skenar i mundshëm: Markat evropiane mund të përfundojnë nën pronësinë kineze?
Një nga pjesët më të diskutueshme të librit është ideja se, në kushte të caktuara, një prodhues kinez makinash mund të marrë përsipër markat evropiane brenda Stellantis. Në të njëjtën kohë, markat amerikane si Jeep, Ram dhe Dodge mund të rifitojnë autonomi më të madhe ose edhe të ndahen tërësisht.
Ky skenar, thotë Tavares, do të ndiqte pjesërisht shembullin e General Motors, i cili shiti Opel dhe Vauxhall disa vite më parë.
Trashëgimia e Tavares: kursime agresive dhe punëtorë të pakënaqur
Periudha e Tavares në krye të Stellantis u shënua nga një fokus i fortë në uljen e kostove. Kjo qasje çoi në përmirësimin e efikasitetit financiar, por hapi konflikte të rëndësishme me sindikatat në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Në Itali dhe Amerikën e Veriut, punëtorët kanë shprehur publikisht pakënaqësinë e tyre, ndërsa sindikata UAW madje ka krijuar një faqe interneti të quajtur “Sh!t Can Carlos”.
Paralelisht me këtë, markat amerikane të Stellantis janë përballur me ngecje. Chrysler është zhdukur pothuajse nga skena, Dodge po kërkon drejtim të ri, ndërsa Jeep ka humbur një pjesë të dominimit të saj në tregun e SUV-ve. Ndërkohë, Ram po kthehet te motorët V8 për të rifituar besimin e blerësve tradicionalë.
Libër i ri, version i ri i historisë
Edhe pse bordi i Stellantis ka treguar publikisht se nuk është dakord me disa nga vendimet e Tavares, ish-CEO po e përdor librin për të shpjeguar logjikën, vizionin e tij dhe për të nxjerrë në pah rreziqet që, sipas mendimit të tij, janë tashmë në horizont.



