Toyota me lëvizje strategjike – Century bëhet markë e pavarur

Toyota e ngre Century në një markë të pavarur që do të bëhet simbol i ri i luksit japonez dhe do të pozicionohet mbi Lexus

Toyota po e ripërcakton përsëri strategjinë e saj të luksit. Emri legjendar Century fiton statusin e një marke të pavarur, me një mision të qartë – të bëhet kulmi i prestigjit dhe mjeshtërisë japoneze. Paralelisht, Lexus do të fitojë më shumë liri në dizajn dhe inovacion, duke hapur një epokë të re në segmentin premium.

Century – mbi Lexus, në klasë më vete

Në një diskutim në panel para Japan Mobility Show 2025, presidenti Akio Toyoda shpjegoi se deri më tani identiteti i Century ka qenë i paqartë, por që tani e tutje do të zërë një vend “mbi Lexus”, i pozicionuar si marka më e mirë luksoze brenda grupacionit Toyota.

“Lexus duhet të shkojë përtej pritjeve, por Century do të ekzistojë në një klasë më vete”, tha Toyoda. Me këtë, Toyota krijon një hierarki të qartë në segmentin e luksit – Toyota për tregun masiv, Lexus për klientët premium dhe Century për koleksionistët dhe njohësit e vërtetë.

Brend me traditë dhe vizion për të ardhmen

Century aktualisht ofron dy modele – sedanin klasik të prezantuar në vitin 1967 dhe SUV-in luksoz të lansuar në vitin 2023. Koncepti i ri “One of One”, i cili do të debutojë në Tokio, është një kupe elegante me lartësi të rritur nga toka – paralajmërues i mundshëm i drejtimit të ardhshëm të dizajnit të markës.

Century ka treguar tashmë prirje për botime ekskluzive, të punuara me dorë, siç është një SUV unik kabriolet i krijuar për parada zyrtare në Japoni – veprim që e pozicionon markën përkrah emrave si Rolls-Royce dhe Bentley në botën e luksit “tailor-made”.

Lexus fiton liri të re krijuese

Me rritjen e Century, Lexus merr mundësinë të përqendrohet në një qasje inovative dhe avangardë, pa u kufizuar nga tradita. Në shfaqjen e Tokios, marka do të zbulojë Konceptin LS (Luxury Space) – koncept futurist elektrik me gjashtë rrota me tre rreshta vendesh, që lë të kuptohet një zëvendësim për sedanin aktual LS.

“Lexus duhet të eksplorojë shtigje të reja, pa kopjuar askënd”, thotë Tojoda, duke theksuar se fokusi i ardhshëm do të jetë te dizajni, teknologjia dhe përvoja për shoferin dhe pasagjerët, në vend të formave klasike.

Një ndarje e qartë midis dy markave luksoze

Kryeprojektuesi dhe drejtori i markës Simon Humphreys përmbledh qasjen e re:

“Lexus do të ketë lirinë për të eksperimentuar dhe për të qenë një pionier, ndërsa Century do të marrë përsipër segmentin ultra-luksoz – maja e majave, ‘One of One’.”

Të dyja markat po marrin edhe moton e tyre të re:

  • Century: “One of One. One in this world, from this country”
  • Lexus: “Discover – We don’t copy anyone else”

Me këtë, Toyota vendos piramidën e saj të re luksoze, ku Century bëhet simbol i luksit përfundimtar japonez, ndërsa Lexus vazhdon të eksplorojë gjuhën e ardhshme të teknologjisë, dizajnit dhe emocioneve.

Lajme të ngjajshëm

Back to top button