Xiaomi prezanton SUV-in e saj të parë elektrik YU7
Xiaomi YU7 është SUV i ri elektrik me deri në 681 kuaj fuqi, 770 km autonomi dhe teknologji të përparuara, duke ofruar luks, shpejtësi dhe stil në një paketë.

Pas lansimit të suksesshëm të sedanit elektrik SU7, Xiaomi po hyn në segmentin SUV me YU7 të ri, i cili u prezantua zyrtarisht në Kinë. Ky është modeli i dytë i gjigantit të teknologjisë dhe SUV-i i parë në portofolin e tij, me dizajn, performancë dhe teknologji që e pozicionojnë atë si konkurrent serioz në segmentin premium të automjeteve elektrike.

Dizajn agresiv dhe aerodinamikë e lartë
YU7 dallohet me pjesën e përparme “shark nose”, dritat e përparme në formë “pikë uji” dhe hauben prej alumini me hapje të vetme më të madhe në industri. Falë 10 kanaleve aktive aerodinamike, 19 vrimave të optimizuara të ventilimit dhe një grile aktive, modeli arrin koeficient mbresëlënës të rezistencës prej vetëm 0.245.
Mes aksesorëve vizualë përfshihen dorezat e dyerve të niveluara me karrocerinë, çati panoramike prej xhami, dritat LED “halo” dhe dy spoilerë të pasmë. YU7 është i disponueshëm në tre ngjyra mbresëlënëse: Emerald Green, Titanium Silver dhe Lava Orange.

Brendësi e bollshme dhe teknologjikisht e përparuar
Brendësia është minimaliste, por e mbushur me teknologji. Ekrani infozbavitës 16.1 inç zë vendin qendror, ndërsa përmes xhamit të përparmë shtrihet ekrani HyperVision 43.3 inç, i ngjashëm me atë në BMW.
Pasagjerët do të shijojnë ulëset gravitacionale të veshura me lëkurë Nappa, të rregullueshme elektrikisht me masazh dhe ulëset e pasme që palosen deri në 135°. Ekziston gjithashtu sistem argëtimi i dyfishtë në pjesën e pasme, karikim pa tel i telefonit, ndriçim ambienti dhe sipërfaqe me përpunim të butë.

Hapësira e bagazhit është 678 litra, e cila mund të zgjerohet në 1,758 litra duke palosur ulëset. Për më tepër, bagazhi i përparmë (frung) ofron edhe 141 litra të tjera.
Tre versione me performancë mbresëlënëse
Xiaomi do të ofrojë tre versione të ndryshme të SUV-it të tij elektrik. Në fillim të ofertës është YU7 Base i cili vjen me 316 kuaj fuqi (235 kW) dhe 528 Nm çift rrotullues, dhe përshpejton nga 0-100 km/orë në 5.9 sekonda. Modeli vjen me një bateri 96.3 kWh që ofron autonomi deri në 835 kilometra. Mbi të është YU7 Pro, i cili ofron tërheqje në të gjitha rrotat dhe fuqi prej 489 KF dhe 690 Nm çift rrotullues, duke lejuar përshpejtimin në “100” në 4.3 sekonda. Performancë më e mirë do të thotë gjithashtu autonomi pak më të ulët prej 760 kilometrash, duke marrë parasysh që ky model vjen me të njëjtën bateri si ajo bazë.

Në krye të gamës është versioni YU7 Max, i cili ka 681 kuaj fuqi dhe 866 Nm çift rrotullues, dyfish fuqi më shumë se modeli bazë dhe shumë më tepër çift rrotullues se Pro dhe Base. Ky konfigurim përshpejton në “100” në 3.2 sekonda dhe vjen me një bateri 101.7 kWh që mundëspn distancë prej 770 kilometrash me një karikim të vetëm.
Të gjitha versionet mbështesin karikim ultra të shpejtë: 10-80% në vetëm 12 minuta, ose deri në 620 km autonomi në 15 minuta.

Shasia, siguria dhe sistemet autonome
Modeli ka dy shporta në pjesën e përparme dhe një sistem me pesë lidhje në pjesën e pasme me amortizatorë ajri dhe pesë nivele rregullimi të lartësisë (deri në 222 milimetra lartësi nga toka). Përfshihet gjithashtu kontrolli i vazhdueshëm i amortizimit, si dhe frenat Brembo me katër pistona.
YU7 përdor LiDAR, radar 4D, 11 kamera dhe 12 sensorë ultrasonikë për sisteme të përparuara ADAS për drejtim autonom dhe siguri.

Disponueshmëria dhe çmimi
Edhe pse çmimi zyrtar do të shpallet në korrik, CEO i Xiaomi, Lei Jun, tha se YU7 do të jetë 8,300–9,700 dollarë më i shtrenjtë se Tesla Model Y, i cili kushton 263,500 juanë (rreth 35,000 euro) në tregun kinez.




