Nissan prezanton makinën elektrike krejtësisht të re Micra

Nissan Micra e re arrin në vitin 2025 si një hatchback elektrik me autonomi deri në 408 km, dizajn modern dhe dy opsione baterish për lëvizshmëri urbane.

Edhe pse modelet SUV dominojnë tregun evropian, Nissan nuk po heq dorë nga makinat hatchback kompakte. Me lançimin e gjeneratës së gjashtë Micra, ky model kalon në një automjet plotësisht elektrik, të zhvilluar në një platformë të përbashkët me Renault 5 E-Tech, por me dizajn dhe karakter plotësisht autentik të Nissan.

Dizajn evropian me karakter

Micra e re është projektuar në studion Nissan Design Europe në Londër, posaçërisht për blerësit evropianë. Modeli dallohet për dritat e mëdha rrethore LED, ndërsa pamja e tij të kujton konceptet retro futuriste, siç është Smart Forspeed nga viti 2011. Kur janë të fikura, dritat e përparme “shkëlqejnë” – detaj i vogël por efektiv.

Edhe pse mbetet një hatchback, Micra huazon estetikë SUV me zbukurime plastike të zeza rreth parakolpëve dhe krahëve, dhe rrota 18-inç të disponueshme në dizajne të shumta. Janë në dispozicion 14 ngjyra të karrocerisë, me mundësi për kombinim dyngjyrësh me çati të zezë ose gri.

Kompakt, por i gjerë

Micra i mbetet besnike formatit kompakt, nën 4 metra i gjatë, me bazë boshtesh prej 2.54 metrash dhe konfigurim me pesë vende. Bagazhi ofron 326 litra hapësirë ​​– të mjaftueshme për nevojat e përditshme në qytet.

Platforma elektrike dhe dy variante

Modeli i ri është ndërtuar në platformën AmpR Small (CMF-BEV) dhe do të ofrohet në dy variante elektrike. Versioni bazë ka 121 kuaj fuqi dhe një bateri 40 kWh, me autonomi deri në 308 kilometra sipas ciklit WLTP. Nga ana tjetër, versioni më i fuqishëm vjen me 148 kuaj fuqi dhe bateri më të madhe me kapacitet prej 52 kWh, e cila lejon autonomi deri në 408 kilometra.

Bateria më e madhe ka karikimin e shpejtë DC deri në 100 kW, duke lejuar karikimin nga 15% në 80% në vetëm 30 minuta. Të dyja versionet kanë një funksion “Vehicle-to-Load (V2L)” për furnizimin me energji të pajisjeve të jashtme, pompë nxehtësie dhe sistem ngrohjeje dhe ftohjeje të baterisë.

Nissan pretendon se Micra ofron manovrimin më të mirë në klasën e saj, falë një qendre të ulët graviteti, drejtimit të shpejtë dhe një boshti të pasmë me shumë lidhje. Pesha varion nga 1,400 në 1,524 kg, gjë që mundëson dinamikë të shkathët dhe të saktë, megjithëse Renault kishte pretendim të ngjashëm për R5 E-Tech.

Nisja dhe pozicionimi

Micra e re elektrike do të mbërrijë në sallonet evropiane deri në fund të vitit 2025, por çmimi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Pritet të jetë më i shtrenjtë se Renault 5 E-Tech, i cili fillon nga rreth 25,000 euro, pasi Micra pozicionohet si një zgjedhje premium në ofertën e Nissan.

Në të ardhmen, Micra-s do t’i bashkohen edhe modele të tjera elektrike, siç janë Juke i ri elektrik dhe crossover-i Leaf.

Lajme të ngjajshëm

Back to top button