Audi dhe SAIC prezantojnë AUDI E5 Sportback të ri
Është prezantuar modeli i parë i prodhimit nën etiketën e re të nën-markës AUDI, ndëra bëhet fjalë për një fastback elektrik me thekse kineze.

Në Panairin automobilistik në Shangai, Audi prezantoi zyrtarisht modelin e tij të parë të prodhimit nën etiketën e re të nën-markës AUDI – elektrikun E5 Sportback. Ky model jo vetëm që shënon një drejtim të ri dizajni, por edhe bashkëpunim strategjik mes Audi dhe gjigantit kinez SAIC, që synon ekskluzivisht tregun kinez.
Edhe pse mban emrin AUDI – me të gjitha shkronjat e mëdha dhe pa katër unazat e famshme – fastback-i i ri elektrik ruan shumë nga gjenet premium të markës tradicionale gjermane, në mënyrë që të ofrojë simbiozë të vërtetë midis inxhinierisë gjermane dhe inovacionit dixhital kinez.

Fastback elektrik me autonomi mbresëlënëse
AUDI E5 Sportback është një model plotësisht elektrik që do të jetë i disponueshëm në versionet me rrota të pasme ose me të gjitha rrotat. Falë baterisë me kapacitet deri në 100 kWh, modeli ofron autonomi deri në 770 kilometra sipas standardit CLTC. Mbështet arkitekturë 800 volt që lejon karikimin për 370 km në vetëm 10 minuta.
Oferta do të përfshijë katër nivele të performancës: 220 kW, 300 kW, 425 kW dhe një version më të mirë me 579 kW (787 KF), i cili përshpejton nga 0 në 100 km/h në vetëm 3.4 sekonda. Modeli do të ketë gjithashtu pezullim ajri dhe drejtim opsional me të gjitha rrotat.

Teknologji moderne e krijuar për përdoruesit kinezë
AUDI E5 i ri është ndërtuar në një platformë të zhvilluar së bashku me SAIC dhe përdor sistem operativ krejtësisht të ri – AUDI OS. Ai funksionon me një procesor Qualcomm Snapdragon 8295 dhe shfaqet përmes një ekrani të madh 4K 27 inç që shtrihet në të gjithë gjerësinë e kabinës. Sistemi është i integruar me aplikacionet kineze, ka njohjen e fytyrës, ndërsa asistenti virtual është zhvilluar nga ByteDance – kompania që qëndron pas TikTok.
Për më tepër, makina përmban sistem drejtimi autonom të bazuar në teknologjinë LiDAR, optimizuar për sfidat urbane të metropoleve kineze. Një funksionalitet interesant është sistemi inteligjent i parkimit që mund të mësojë përmendësh rrugët në garazhe shumëkatëshe.

Dizajni i frymëzuar nga Audi A6 Avant, por me identitetin e tij
Për sa i përket dimensioneve, E5 Sportback është i ngjashëm me Audi A6 Avant – 4,881 mm i gjatë, 1,959 mm i gjerë dhe 1,478 mm i lartë. Megjithatë, modeli i ri ka një profil më të theksuar fastback dhe dizajn që pasqyron shijen kineze për modernitetin dhe integrimin digjital.
Edhe pse teknikisht dhe vizualisht i afërt me familjen e-tron, Audi këmbëngul se AUDI është një entitet më vete, që synon ekskluzivisht konsumatorët kinezë me identitetin e vet, ekosistemin digjital dhe strategjinë e marketingut.
Fillimi i shitjeve dhe planet e ardhshme
Audi planifikon të lansojë E5 Sportback në verën e vitit 2025, vetëm në tregun kinez. Modeli do të jetë themeli i strategjisë së re të nën-markës AUDI, me dy modele të reja AUDI deri në vitin 2027.




