Shefi i ri i Stellantis do të duhet të shkurtojë nga 14 brendet

Industria e automobilave po vëzhgon nga afër si kryetari i Stellantis Xhhn Elkan shqyrton kandidaturat për drejtor të ri ekzekutiv të një prej grupeve më të mëdha të automobilave në botë. Pas largimit të papritur të Karlos Tavares, lideri i ri jo vetëm që do të trashëgojë një perandori prej 14 brendesh automobilistike, por do të hyjë në një “mbijetesë” të vërtetë ku disa prej brendeve mund të mos arrijnë në fazën tjetër.
Dilema strategjike: Të mbahen të gjitha brendet ose të shkurtohet lista?
Që kur Stellantis u krijua në 2021 me bashkimin e FCA dhe PSA, grupi është bërë një familje e madhe automobilistike, por jo të gjitha brendet janë po aq të suksesshme. Edhe pse Tavares zyrtarisht u largua me “kushte miqësore”, është e qartë se largimi i tij lidhet me mosmarrëveshjet për strategjinë e ardhshme të grupacionit.
Pyetja tani është nëse drejtori i ri ekzekutiv do të përpiqet të ruajë të gjithë strukturën ekzistuese apo do të fillojë përfundimisht me racionalizimin e brendeve. Stellantis mbulon gjithçka – nga emrat legjendar si Dodge, deri te brendet që synojnë audiencë specifike si Lancia dhe DS. A i duhen vërtet grupit të gjithë 14 brendet?
Cilat marka janë të sigurta dhe cilat janë në rrezik?
Disa brende janë forca reale në treg. Jeep mbetet një nga markat më të shitura të SUV-ve në botë, Ram dominon segmentin e pick-upëve, ndërsa Peugeot është i popullarizuar në Evropë. Por çfarë me pjesën tjetër?
Lancia shet vetëm një model dhe ende nuk ka lançuar të gjitha modelet e saj të shpallura, DS përballet me konkurrencë të ashpër në përpjekjet e saj për t’u vendosur si brend premium, ndërsa kur bëhet fjalë për Maserati, duhet theksuar se brendi ka rëndësi historike, por e ardhmja e saj në Stellantis mbetet e paqartë.
Sipas vlerësimeve të Reuters, Jeep përbën 15% të shitjeve të Stellantis, ndërsa Fiat dhe Peugeot së bashku përbëjnë rreth 40%. Kjo do të thotë se këto marka janë të sigurta dhe do të marrin investimet e nevojshme për të zhvilluar ofertat e tyre. Por me rënien e aksioneve të Stellantis, disa rende apo modele do të duhet të sakrifikohen.
Kriza e thellë financiare dhe sfidat në vitin 2024
Fitimet e Stellantis ranë me 48% në gjysmën e parë të 2024, gjë që është një alarm serioz për grupin. Këtë javë, kompania do të publikojë rezultatet e plota financiare për vitin 2024, të cilat do të tregojnë se si shkoi gjysma e dytë e vitit. Megjithatë, lajmi nuk pritet të jetë pozitiv, pasi Stellantis tashmë uli parashikimet e saj të të ardhurave vjeshtën e kaluar, duke paralajmëruar ulje të shitjeve në tremujorin e fundit.
Ashtu si shumë prodhues të tjerë, Stellantis po përballet me ngadalësim të shitjeve në Kinë, por rajone të tjera të botës po tregojnë gjithashtu shenja të paqëndrueshmërisë ekonomike.
Çfarë do të sjellë e ardhmja për Stellantis?
Cilin brend do ta mbajë dhe cilën do ta eliminojë? Sipas raporteve, njohja e emrit Stellantis nga konsumatorët është dukshëm më e ulët në krahasim me VW, Toyota dhe BMW. Kjo mund të nënkuptojë se grupi do të duhet gjithashtu të marrë në konsideratë një emër të ri të korporatës.
Menaxhmenti i ri do të duhet të marrë shpejt vendime kritike për të stabilizuar situatën financiare dhe për të përcaktuar të ardhmen e disa markave. Një gjë është e sigurt – ndryshimet janë të pashmangshme dhe lideri i ri i Stellantis do të duhet të bëjë lëvizjet e duhura për ta mbajtur grupin konkurrues në tregun global.



