Rusia e bleu fabrikën Renault për 1 cent, tani kërkon 1.3 miliardë
Prodhuesi francez Renault më parë kontrollonte afërsisht 30 përqind të të gjithë tregut rus të automobilave.

Derisa lufta midis Rusisë dhe Ukrainës vazhdon, ka shpresë se negociatat eventuale mund t’i japin fund konfliktit. Nëse kjo ndodh, është e mundur që shumë kompani perëndimore që janë larguar nga tregu rus të mendojnë të kthehen. Megjithatë, për kthim atje do të duhen investime të konsiderueshme financiar.
Renault dhe largimi nga Rusia
Si përgjigje ndaj sulmit, sanksionet u zbatuan shpejt dhe një numër kompanish, veçanërisht prodhuesit e automjeteve, ndërprenë plotësisht lidhjet me tregun rus. Një nga shembujt më të dukshëm është Renault, i cili mbante aksion kontrollues prej 68% në AvtoVAZ – kompania shtetërore që prodhon Lada. Me këtë, marka franceze kishte kontroll mbi pothuajse 30% të tregut rus të automobilave.
Megjithatë, nën presionin politik, Renault vendosi t’i shesë aksionet e saj ruse institutit kërkimor NAMI për çmimin simbolik prej vetëm 1 rubla (më pak se një cent amerikan). Tani, nëse dëshiron të kthehet dhe të rimarrë kontrollin e AvtoVAZ, do të duhet të paguajë 112.5 miliardë rubla, që është ekuivalente me rreth 1.3 miliardë dollarë, sipas CEO të AvtoVAZ, Maxim Sokolov.
Investimet e mëdha të NAMI në AvtoVAZ
Sipas Sokolov, NAMI investoi shuma të mëdha në AvtoVAZ pasi Renault u tërhoq. Në një deklaratë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, ai zbuloi se rreth 27.5 miliardë rubla (afërsisht 311 milionë dollarë) ishin investuar në vitin 2023 dhe 40 miliardë rubla shtesë (afërsisht 453 milionë dollarë) në vitin 2024. Këtë vit janë planifikuar edhe 45 miliardë rubla (rreth 510 milionë dollarë) investime.
Për krahasim, para tërheqjes, Renault investonte çdo vit rreth 20-22 miliardë rubla (midis 226 dhe 249 milion dollarë) në AvtoVAZ. Sokolov beson se marka franceze duhet të kompensojë këto investime nëse vendos të kthehet në treg.
Renault pa plane konkrete për t’u rikthyer
Edhe pse pala ruse tregon qartë kushtet për rikthim të mundshëm, Renault ende nuk ka dhënë asnjë indikacion se po mendon për një hap të tillë. Sipas një deklarate për Business Insider, kompania tha se “nuk parashikon ndonjë ndryshim në afat të shkurtër” në lidhje me praninë e saj në Rusi.
Në pritje të zhvillimit të situatës, mbetet e pasigurt nëse Renault do të jetë i gatshëm të kthehet në Rusi dhe nëse do të paguajë çmimin e lartë për të rimarrë AvtoVAZ. Me sfidat aktuale gjeopolitike dhe ekonomike, e ardhmja e markës franceze në tregun rus mbetet nën pikëpyetje.



