Xiaomi konfirmon se së shpejti do të zgjerohet në nivel global
Marka kineze Xiaomi aktualisht po përgatitet të fillojë prodhimin e plotë të SUV modelit YU7

Gjigandi i teknologjisë Xiaomi, i njohur për produktet e tij inovative të elektronikës së konsumit, tani po shtyn seriozisht në tregun e automjeteve elektrike. Me modelet e saj SU7 dhe YU7, kompania tashmë ka pasur sukses në Kinë dhe tani planifikon të lançojë makinat e saj elektrike në mbarë botën. Kjo u konfirmua nga presidenti i Xiaomi, William Lu gjatë Mobile World Congress në Barcelonë, Spanjë.
Edhe pse Lu nuk dha detaje specifike, ai u shpreh i emocionuar për planet e ardhshme të kompanisë. “Nuk mund të zbuloj shumë detaje, por jam shumë i emocionuar të informoj përdoruesit tanë globalë se Xiaomi do të lançojë automjetet e saj elektrike në tregjet ndërkombëtare në vitet e ardhshme”, tha ai për CNBC.
Ky njoftim shënon fillimin e një epoke të re për Xiaomi, e cila deri më tani i ka shitur makinat e saj ekskluzivisht në tregun kinez. Megjithatë, hyrja në tregjet globale do të jetë një sfidë, pasi kompania do të duhet të përmbushë standardet dhe rregulloret e ndryshme të çdo rajoni. Ndryshe nga Kina, ku tashmë përmbush normat lokale, zgjerimi ndërkombëtar do të kërkojë hulumtime dhe rregullime shtesë.

Sipas një raporti nga dhjetori i vitit të kaluar, Xiaomi ka formuar tashmë ekipe për të përgatitur strategji biznesi për të eksploruar mundësitë për shitjen e automjeteve elektrike jashtë shtetit. Me sa duket, kompania do të fillojë testimin e tregut në disa vende përpara se të fillojë lansimin më të gjerë. Kjo qasje është e ngjashme me atë të BYD e cila është zgjeruar me sukses në nivel global.
Xiaomi tashmë ka arritur të tërheqë shumë vëmendje me modelet e saj SU7 dhe YU7, të cilat ofrohen me çmime shumë konkurruese. Për shembull, SU7 Ultra, i cili ka tre motorë elektrikë me fuqi totale prej 1527 kuajfuqish, ofrohet me çmim fillestar prej 529,000 juanë (rreth 70,000 euro).
Me planet e saj ambicioze dhe produktet inovative, Xiaomi shpreson të përsërisë suksesin e BYD dhe të bëhet një lojtar i rëndësishëm në tregun global të automjeteve elektrike.



